Banorët e Unazës që do t’u shembin shtëpitë duhet të bëjnë një padi urgjente në Gjykatën Administrative në Tiranë, ku mes të tjerash, të kërkojnë që kjo Gjykatë të nxjerrë një Urdhër (Vendim i Ndërmjetëm) që pezullon çdo aksion ose veprim kundër shtëpive të tyre.
Krahas kësaj, ata duhet të bëjnë një padi në Gjykatën Kushtetuese (!!) meqenëse kjo është një çështje e të Drejtave të Njeriut. Pavarësisht faktit që Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, minimalisht ata duhet ta regjistrojnë çështjen e tyre në këtë Gjykatë.
Gjithashtu, ata duhet të bëjnë një padi në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke nënvizuar faktin e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, dhe në këto rrethana, ata t’i kërkojnë kësaj Gjykate një Vendim Urgjent për Masa të Përkohshme (Interim Measures).
Në të gjitha çështjet urgjente, Masat e Përkohshme nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut jepen brenda 24 orësh, madje edhe brenda ditës.
Sigurisht ka edhe mundësi të tjera ligjore, siç është ankesa në Komitetin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, për shkeljen e nenit 11 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore nga Shqipëria.
Ata që kanë kontakte me këta banorë, ju lutem t’i informojë ata për mundësitë ligjore që kanë akoma në dispozicion. Do të ishte ideale që një grup avokatësh i të Drejtave të Njeriut t’i asistojë ata në rrugën që duhet të ndjekin.
Diskutime rreth kësaj post