Arsyeja përse Ilir Meta nuk e dekretoi Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm brenda afatit të parë kushtetues lidhet me të qenurit e tij një ushtar i shërbimit aktiv.
Ky është argumenti që ka dhënë më në fund Presidenca për mosdekretimin e tij herën e parë. Zyra e presidentit e ka zbuluar atë në një letër drejtuar ministres së Mbrotjes, në të cilën kreu i shtetit rendit 14 pyetje, përmes të cilave ai synon të informohet nëse Lleshi pas fitimit të gjyqit për shfuqizimin e dekretit të presidentin Nishani që e lironte nga detyra, ishte ushtarak aktiv apo jo.
Presidenti thotë se në këtë mënyrë, kandidatura e Lleshit paraqet nje problematikë themelore kushtetuese.
“Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”.
Kreu i shtetit shkruan se nuk i është dhënë asnjë shpjegim mbi këtë argument as në propozimin për herë të dytë.
“Megjithëse Kryeministri është vënë në dijeni mbi këtë ndalim kushtetues, sërish edhe në këtë propozim të ri, nuk është dhënë asnjë shpjegim, informacion si dhe nuk është mbajtur asnjë qëndrim mbi këtë çështje dhe për pasoja të tjera që mund të lidhen me të”.
Por nuk ka vonuar përgjigja e Kryeministrit i cili thotë se është i keqardhur që këto pyetje nuk i ka drejtuar kur ju propozua Lleshi për herë të parë, çka sipas tij do të shmangte krisjen kushtetuese. Për Kryeministrin zgjedhja është e thjeshtë.
Kryeministri ka bërë publike dhe një letër të Sandër Lleshit drejtuar Presidentit, në të cilën i kërkon Presidentit se ka zgjedhur të jetë ministër i Brendshëm ndaj dhe kërkon të heqë dorë nga karriera e tij ushtarake. Lleshi shpjegon se aktualisht nuk është ushtarak aktiv pavarësisht se ka fituar gjyqin pasi vetëm me një dekret të ri nga Presidenti mund të jetë një i tillë.
Mosdekretimi i Sandër Lleshit ka shkaktuar një çarje mes qeverisë dhe presidencës. Edhe pse javën e kaluar Presidenti Meta dha shenja se do ta firmoste dekretin, palët qëndrojnë në llogore përsa i përket interpretimit të Kushtetutës. Kryeminstri Rama ka njoftuar se për këtë rast do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ndonëse ajo nuk është aktualisht funksionale.
Diskutime rreth kësaj post