Khaltmaagin Battulga mban rripin e zi në xhudo dhe si trajner i ekipit të xhudos ai i ka dhënë vendit një medalje të artë.
“Dhe çfarë do të bëni nëse Parlamenti nuk e pranon propozimin tuaj për t’u shpërbërë?” “Po shkoj në grevë urie, dhe dua të them seriozisht. Nëse është e nevojshme, do të protestoj para parlamentit”.
Kështu presidenti i Mongolisë, Khaltmaa Battulga iu përgjigj gazetarit të televizionit mongol C1, pas krizës politike në vend.
Në Mongoli janë publikuar keqpërdorimet financiare të disa nga deputetët, të cilët vetes dhe anëtarëve të familjeve të tyre iu kanë siguruar kredi me normë shumë të ulët interesi prej fondit që është themeluar për të promovuar zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe atyre të mesme.
Deputetët dhe të afërmit e tyre, me sa duket, nuk kishin asnjë biznes.
Battulga pa se kjo është koha e duhur për të maksimizuar përpjekjet e tij, duke detyruar parlamentin për t’u shpërndarë, dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme, në të cilën Partia e tij Demokratike të fitojë menjëherë dhe të lejojë atë të sundojë Mongolinë ashtu sikurse ai dëshiron. Për këtë është i gatshëm të hyjë edhe në grevë urie.
Khaltmaagin Battulga është njëri nga populistët që viteve të fundit erdhën në pushtet në valën e problemeve ekonomike, duke shfrytëzuar pakënaqësinë me gjendjen aktuale dhe frikën e publikut për të ardhmen.
Nuk ishte e lehtë për të, pasi zgjedhjet në verën e vitit të kaluar ishin të parat që nga viti 1993 që hynë në raundin e dytë. Pothuajse nëntë për qind e votuesve dorëzuan fletëvotimet e zbrazëta.
Dhe Battulga e kuptoi mesazhin dhe filloi politikën e “ndihmës së të varfërve”. Kjo provokoi polemika pasi ai nuk mund të quhet fare i varfër dhe konsiderohet presidenti më i rrezikshëm në botë, për shkak të forcës fizike.
Derisa ishte në shkollë, ai ndoqi kurset për talent dhe forcimin e trupit. Në fakt, babai i tij ishte trajneri i kombëtares për mundje dhe Battulga ishte anëtar prej vitit 1979 deri 1990. Kjo i mundësoi që gjatë kohës sa Mongolia sundohej nga pushteti komunist, të udhëtojë nëpër botë.
Ai gjithashtu mësoi xhudo, e cila më vonë i mundësoi në politikë duke hapur derën edhe të një adhuruesi tjetër të artit ushtarak lindor – presidentit rus Vladimir Putin.
Në vitin 1990 Mongolia kaloi në sistemin demokratik dhe ish-sekretari i Shtetit John Kerry preferonte që ky vend të quhet “oazë e demokracisë” midis Rusisë dhe Kinës.
Battulga nuk priti dhe u bë sipërmarrës: ai filloi të shiste xhinse që vetë i qepte. Ai fitoi 600 dollarë dhe pastaj filloi një sipërmarrje të re import-eksport. Nga Singapori ai importoi pajisje elektronike në Mongoli dhe Rusi. Puna shkoi shumë mirë dhe presidenti i ardhshëm themeloi kompaninë Genco. Kjo nuk mund të ketë qenë rekomandimi më i mirë për hyrjen në botën e biznesit, pasi kështu quhej një kompani e themeluar nga Vito Corleone në klasikun “Kumbara”.
Genco ishte shumë i suksesshëm: themeloi shërbimin e parë të taksive në Mongoli, hapi një zinxhir të dyqaneve Sapporo, udhëhoqi një lotari, restorant dhe klube nate, një fabrikë dhe një furrë. Në privatizim janë blerë hotele dhe fabrika për përpunimin e mishit.
Kishte gjithashtu probleme të caktuara në atë plan, kështu që Battulga duhej të largohej nga vendi për gjashtë muaj për të mbrojtur veten kundër akuzave për importimin ilegal të alkoolit.
Dhe pastaj vendosi të përkushtohej në politikë, por para kësaj, ai ndërtoi një park zbavitës dhe një skulpturë të madhe të pushtuesit të famshëm Jingis Khan, për të konfirmuar përkushtimin e tij ndaj traditës kombëtare – dhe dëshirën për të qenë një Khan i ri.
Në Parlament u zgjodh në 2004, 2008 dhe më në fund në vitin 2012. Kur mbaroi afati i tretë, vendosi të bëhej president. Gjatë fushatës nuk e fshehu se kishte Putinin idol: “Është e lehtë të komunikosh, sepse të dy ne jemi xhudistë”, tha ai.
Kjo doli të jetë një strategji fituese, pasi Mongolia nga dy fqinjët e saj të mëdhenj i pëlqente më shumë Rusia.
Në publik u përfaqësua si Donald Trump: një biznesmen i suksesshëm i cili dëshiron të ndihmojë kombin.
Me qëllim të goditjes së elitës politike të vendosur dhe çrrënjosur korrupsionin, duke harruar se edhe atë e ndjekë zëri si përkrahës i korrupsionit, Battulga gjatë fushatës premtoi të shërojë ekonominë.
Populizmi i tij shënoi kulmin, duke premtuar të sigurojë që të gjithë mongolët do të paguajnë borxhin e tyre me ndihmën e të ardhurave nga shitja e thesarit minerar. Deri tani, ai ka dështuar në këtë strategji.
Kjo është arsyeja pse ai shkoi në një turne të të gjitha krahinave për t’u takuar me njerëz, siç u pëlqen disa udhëheqësve të shtetit, duke i siguruar ata se ai do t’i plotësonte të gjitha nevojat, vetëm të fitojë fuqi parlamentare, ku qeveris opozita – dhe për ta rrëzuar atë, është gjithashtu gati për një grevë urie. /Telegrafi
Diskutime rreth kësaj post