Vdekja e një 3-vjeçareje në qytetin e Beratit në fillim të vitit 2017 është kthyer në një çështje në gjykatë. Prindërit e vogëlushes Iza Dërrasa kanë denoncuar që në atë kohë mjeken pediatre Shpresa Karkanjozi, duke e akuzuar se vajza e tyre ndërroi jetë për shkak të një reaksioni nga ilaçet e gabuara që i dha doktoresha.
Prokuroria ka kërkuar sot 4 vite burg për mjeken, shkruan BW, por megjithatë nëna e vogëlushes, Anila Dërrasa thotë se asgjë nuk mund t’ia kthejë të bijën në jetë.
3-vjeçarja ishte e shtruar prej 5 ditësh në Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit, për shkak të virozëve, por pas reaksionit të shkaktuar pas një serumi të marrë kaloi në gjendje kolapsi dhe për pasojë gjeti vdekjen në 23 Janar 2017.
Prindërit madje deklaruan se stafi i këtij reparti ishte treguar i pamëshirshëm dhe çnjerëzor me ta pas vdekjes së vajzës, duke i larguar në shtëpi me vajzën e vdekur ndër duar. Çështja penale në ngarkim të mjekes Shpresa Karkanjozi ka 8 muaj që po hetohet në Gjykatën e Shkallës së Parë Berat, ku pas pyetjes së të gjithë dëshmitarëve dhe ekzaminimit të raporteve të ekspertëve të mjekësisë ligjore, është kërkuar sot nga organi i akuzës dënimi me 4 vite burgim për mjeken dhe tashmë gjithçka ngelet në dorë të Gjykatës.
Kjo e fundit do të japë vendimin për mjeken në datën 22 nëntor.
Diskutime rreth kësaj post