Mungesa e një kantieri detar në Portin e Durrësit po çon drejt shkatërrimit flotën shumëvjeçare të peshkimit. Anijet kanë nevojë për riparim urgjent pasi ndodhen në një gjendje tejet të amortizuar.
Flota e Peshkimit ka nën administrim anije mjaft të vjetra e për shkak të mungesës së një kantieri për riparimin e tyre, dita-ditës ato po dalin jashtë funksionit njëra pas tjetrës. Nga 180 anije peshkimi që kishte dhjetë vite më parë, Flota e Peshkimit aktualisht numëron rreth 70 të tilla, pasi anijet nuk kanë mundësi të riparohen në vendin tonë.
FUNDOSJA E PESHKAREXHES
Në kushtet fizike dhe gjendjen e amortizuar, anijet e kanë të pamundur të lundrojnë drejt shteteve fqinje për të kryer riparime. Vetëm tre-katër vitet e fundit kanë dalë jashtë përdorimit mbi 50 mjete lundrimi, ndërsa pjesa tjetër pritet të ketë të njëjtin fund, pasi ato nuk janë të mirëmbajtura ndër vite.
Vetëm pak ditë më parë, një anije u fundos teksa ndodhej e ankoruar në njërën prej kalatave të portit, e cila sapo ishte kthyer nga aktiviteti i peshkimit. Për fat të mirë, sot flasim vetëm për dëme materiale, pasi anija mund të ishte fundosur edhe në det të hapur duke rrezikuar jetën e ekuipazhit. Anija e peshkimit “Klodi”, me pronar shtetasin Adem Pojana, u fundos në kalatën lindore vetëm pak minuta pasi ishte ankoruar.
Burimet zyrtare nga Kapitaneria e Portit të Durrësit bënë me dije se pronari i anijes kishte kërkuar ndihmën e rimorkiatorit për të ankoruar në breg peshkatoren, pasi kishte pësuar defekt në det. Pasi peshkatorja u ankorua në kalatën lindore aty ku gjendej ish-kantieri i riparimit të anijeve, anija u fundos pasi kishte futur shumë ujë në ambientet e brendshme të saj. Kjo anije, sikurse edhe pjesa tjetër e anijeve të peshkimit kishte nevojë për servis, por në kushtet ku porti i Durrësit nuk e ka një të tillë, ajo, sikundër simotrat e saj, përfundoi në fund të detit.
MUNGESA E KANTIERIT
Në portin në të madh të vendit, problemi me i madh i të gjithë industrisë se peshkimit është mungesa e një kantieri detar për riparimin e anijeve të peshkimit. Kantieri ku ndërtoheshin dhe riparoheshin anijet u privatizua dhe sipas peshkatarëve u shkatërrua duke e dërguar për shkrirje në Metalurgjikun e Elbasanit. Pronarët e anijeve të peshkimit thonë se mjetet lundruese kanë nevojë për remont, por për shkak të gjendjes fizike ato e kanë të pamundur për të lundruar drejt vendeve fqinje. “Një pjesë e mirë e anijeve të peshkimit kanë dalë jashtë funksionit dhe janë të ankoruara prej muajsh apo vitesh në portin e peshkimit.
Mjetet lundruese kanë nevojë për riparime, por në gjendjen që ndodhen e kanë të pamundur për të lundruar drejt Italisë apo shteteve të tjera për të kryer servis, pa llogaritur koston e kripur që duhet të paguajmë në kantieret e shteteve të tjera. Çdo ditë që kalon del jashtë përdorimit ndonjë mjet, duke reduktuar ndjeshëm numrin e anijeve të flotës së peshkimit”, shprehen peshkatarët durrsakë. Sipas Shoqatës së Peshkatarëve Profesioniste në Durrës, nëse nuk ndërhyhet për ndërtimin sa më parë të një kantieri detar, peshkimi rrezikohet të paralizohet.
Peshkimi është një ndër sektorët më të rëndësishëm në qytetin, në të cilin gjenerojnë të ardhurat mjaft familje durrsake. Pavarësisht problemeve që lidhen me koston e karburantit apo me importin e paligjshëm, peshkatarët kërkojnë marrjen e masave për riparimin e anijeve që rrezikojnë të fundosen njëra pas tjetrës.
Diskutime rreth kësaj post