Pazar! As më shumë dhe as më pak, kjo është ajo që po ndodh me dekretimin e Sandër Lleshit i propozuar nga Kryeministri për Ministër të Brendshëm.
Nuk është hera e parë që politika shqiptare më shumë sesa për zgjidhjen në funksion të stabilitetit të vendit, mendon për pazarin e radhës politik.
Ilir Meta ka figurën e politikanit të paparashikueshëm në arritjen e kompromiseve, por konsistent në mënyrën sesi ka përfituar nga çdo situatë në favor të fatit të tij politik.
Historia e tij politike është një lisharse dashuri dhe urrejtje, me figurat politike në vend. Asnjë nuk betohet dot nëse prej paktit politik, Ilir Meta të bëhet mik apo të përdor si armik.
Ilir Meta është i vetmi politikan në Shqipëri që guxoi të arrestonte pas ngjarjeve të Tropojës, në vitin 2000 Sali Berishën, me të cilin sot bashkëdrejton Opozitën në vend. Nuk e pengoi as posti i zv. kryeministrit me qeverinë e Nanos që pas përplasjeve të shkëputej prej tij dhe të krijonte me kurajo Lëvizjen Socialiste për Integrim, Partinë e tij.
Greva e urisë në 2008 për ndryshimet kushtetuese dukej se e ndau atë përfundimisht nga raporti me dy partitë më të mëdha në vend, PS dhe PD. Por, agresiviteti (të gjithë ju kujtohet sulmi mbi tavolinën e Jozefina Topallit në Parlament) nuk e ndaloi që më 2009 të ndante pushtetin me PD-në! Prej këtij pazari Ilir Meta doli më i fituar, LSI merr 4 ministri duke u fuqizuar si asnjëherë. Ishte pikërisht ky kapital politik dhe roli i tij si i domosdoshmi i politikës shqiptare që e bëri të kalojë me ndihmën e pakursyer të Sali Berishës ngjarjet e vitit 2011 kur Ilir Meta ishte arsyeja e protestës së 21 Janarit nga opozita e Edi Ramës, pas videos për një pazar, dhe në atë protestë u vranë 4 veta.
2013-ta, me ftohtësinë e një politikani që llogarit si askush çdo lëvizje në favor të vetes, e sjell Ilir Metën përsëri në pushtet, këtë radhë në bashkëjetesë me Edi Ramën ” fundërrinën politike” të cilin ishte betuar se do ta zhdukte nga skena.
Edi Rama, armiku i tij i betuar, kthehet në partnerin e tij të radhës për të ndarë pushtetin.
Ilir Meta merr prapë 4 ministri dhe kryetarin e kuvendit, duke acaruar kështu marrëdhënien me Sali Berishen, deri dje shpëtimtari i tij.
Në gjithë këtë trajektore ku miqtë e armiqtë politikë i zënë vendit njëri-tjetrit sipas çmimit të pazarit të Ilir Metës, mesa duket ka një moment kur Ilir Meta humbet gjithmonë ftohtësinë: – Kur ndjehet i kërcënuar!
Sot ai është gjeneral i LSI dhe Presidenti i Republikës.
Vetëm ai e di se cila prej të dyjave i rri më përshtat….dhe po veç ai ka më shumë frikë nga ky dyzim rolesh!
Në rast se dobësohet njeri, bie dhe tjetri.
Ky po është rast unikal i bashkëjetesës par excellence të pazarit me politikën, suksesi i së cilës varet vetëm nga një sekret: të dukesh më i fortë edhe kur në të vërtetë nuk je! /Tiranapost.al
Diskutime rreth kësaj post