Shtatorin e kaluar Byroja e Kuvendit miratoi një udhëzim, si pjesë e Kodit të Etikës së deputetëve, ku mes të tjerash ka një referencë edhe për sa i përket imunitetit të parlamentarit.
Pika 15 e udhëzimit thotë se në rast të autorizimeve për kufizim të të drejtave të deputetit, Kuvendi duhet të verifikojë nëse kërkesa e paraqitur nga organe që përfaqësojnë pushtete të tjera të pavarura, synon ose tenton që nëpërmjet goditjes së individit, të dëmtohet ose të preket funksionimi dhe pavarësia e Kuvendit. Pra udhëzimi i miratuar nga Byroja, kërkon të mbrojë institucionin e Parlamentit nga pushtete të tjera dhe jo deputetin ndaj të cilit kërkohet heqja e imunitetit.
Kjo bëhet e qartë edhe nga fakti se pika 15 e dokumentit në fjalë shpjegon qartë se këto janë udhëzime për zbatimin e Nenit 19 të Kodit të Sjelljeve të Deputetëve.
Ky nen i Kodit, të cilit i referohet edhe Udhëzimi, thekson se Deputeti nuk duhet të përfitojë nga imuniteti i tij për të penguar drejtësinë nëse kërkohet arresti i tij apo heqja e lirisë në çfarëdolloj forme, apo kur kërkohet kontrolli i banesës së deputetit.
Nga ana tjetër, edhe vetë Kodi i Sjelljes së Deputetit pohon se nuk ka fuqi që të kufizojë të drejtat dhe imunitetin e deputetit, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi dhe Rregullorja e Kuvendit, që prevalojnë nga pikëpamja legjislative si ndaj Kodit të Sjelljes ashtu edhe ndaj çdo udhëzimi.
Për sa kohë nuk ka ndryshuar as Rregullorja e Kuvendit dhe as legjislacioni, deputetët vijojnë të kenë po atë mbrojtje që gëzonin edhe përpara këtij Udhëzimi.
Foto:
Diskutime rreth kësaj post