Arrestimi i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko dhe ish-deputetit Arben Ndoka është u veshur me hije dyshimi. Ditën e djeshme u mbajt një seancë gjyqësore maratonë për të arrestuarit e të dielës, midis të cilëve ishin edhe ish-deputetët e Partisë Socialiste. Gjyqtari Bibë Ndreca vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” për ta, por avokati mbrojtës i tyre, Maks Haxhia deklaroi se ky është një proces i ndikuar nga politika. Në një prononcim për mediat pas mbylljes së procesit gjyqësor, Haxhia cilësoi Arben Çukon dhe Arben Ndokën kurbanët e parë të procesit të integrimit. “Unë isha avokati i zotit Arben Çuko dhe Arben Ndoka. Gjatë seancës u hodhën edhe ide të tilla se politika është në mes dhe ne jemi kurbanët e integrimit”, u shpreh ai. Përmes kësaj deklarate, Maks Haxhia lë të nënkuptohet që arrestimi i Arben Çukos është kryer me urdhër nga politika me qëllim që të shtohen pikë në sy të ndërkombëtarëve për të merituar hapjen e negociatave vitin e ardhshëm. Avokati zbuloi ndër të tjera edhe arsyet pse akuzat ndaj Çukos nuk qëndrojnë. Sipas tij, kërkesa për transferim është bërë në maj, por është kryer vetëm në muajin korrik për një arsye tjetër dhe jo për atë që pretendon prokuroria. “Prokuroria thotë që ka një ndërhyrje përmes shoferit të zotit Çuko, kur ishte drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve për të transferuar një të burgosur nga burgu i Burrelit në Peqin. Vetë zoti Çuko, po të shiheshin edhe të gjitha bisedat telefonike, i është drejtuar drejtorit të burgut që në asnjë mënyrë nuk do të lëvizë ky sepse unë konstatoj pisllëqe. Procedura ka filluar në 20 mars dhe në 20 mars e ka pezulluar dhe nuk e ka bërë këtë transferim. Në 9 korrik është bërë ky transferim sepse personi që ishte i burgosur dhe personi tjetër kanë denoncuar një oficer policie, i cili sot ndodhet në burg dhe për shkak të procedurave, kur kallëzohet një oficer policie është e detyrueshme për komandën e burgjeve që të bëjë transferimin. Zoti Çuko ka vënë me shënim me dorën e vet në buletin që urdhërohet transferimi i tyre për efekt sigurie. Nuk ka mundësi që të jepet ryshfeti në mars dhe transferimi të jetë bërë në korrik”, tha ai.
Haxhia akuza prokurorisë
Maks Haxhia hodhi edhe akuza kundër prokurorisë gjatë fjalës së tij. Ai deklaroi se prokuroria ka manipuluar faktet sepse nuk vendos datën dhe arsyen pse është bërë transferimi. “Unë në radhë të parë këtë e quaj manipulim sepse prokuroria nuk jep kurrë datat, por jep faktin që ka një ndërhyrje që bazohet në disa përgjime, ka edhe një transferim, por nuk vënë në mënyrë të qëllimshme që ky transferim është bërë pas 6 muajve dhe për një arsye tjetër”, theksoi avokati i Çukos. Ai e etiketoi procesin e djeshëm gjyqësor ndaj të arrestuarve si skandaloz dhe të paligjshëm. Ai dha edhe disa argumente në mbështetje të kësaj deklarate. “Proces më skandaloz, qesharak dhe antiligjor nuk kam parë ndonjëherë në 37 vjet të karrierës sime. Së pari, ligji thotë që çdo i arrestuar trajtohet veç e veç. Atje janë futur 44 veta në sallë dhe imagjinoni si ka shkuar procesi. Por ajo çfarë ishte më qesharakja që na bën ne katërçipërisht të bindur që ky proces është i montuar nga prokuroria ose dhe më poshtë se prokuroria, është prezantimi i vendimit të gjyqtarit të çështjes, i cili në mes të seancës deklaroi se: “Unë nuk e kam ditur që zonja Mimoza Ndoka ka qenë me fëmijë të vogël dhe i është çuar dhe fëmija për ta ushqyer gjatë kësaj kohe që ka qëndruar””, deklaroi Maks Haxhia.
Diskutime rreth kësaj post