Ervin Salianji, një ndër deputetët më aktivë të opozitës, ndodhet në rreshtin e parë të saj sa herë që bëhet fjalë për përballje politike, ndaj dhe është më i sulmuari nga mazhoranca e majtë. Por, Salianji tregon për “Gazeta Shqiptare” se do të vazhdojë të denoncojë me fakte dhe prova konkrete për çdo rast korrupsioni qeveritar. Ai thotë se asgjë nuk e shantazhon e as nuk e blen dot. I pafrikësuar në misionin për të përfaqësuar, sipas Salianjit qindra mijëra qytetarë mbështesin sot PD-në.
Z.Salianji, kohët e fundit gjithnjë e më shpesh ju shohim me dosje në duar, çfarë përmbajnë ato?
Kanë qenë dosje për raste të denoncuara nga opozita, dosje të plota për përfshirjen e shtetit për të sajuar, prishur apo fabrikuar prova dhe dëshmitarë për të shpëtuar ministrin e Brendshëm. Kanë qenë dokumente shkresore të institucioneve apo video ku faktohej qartë se si shteti sot përdorte metodat e ‘Sigurimit’ vetëm për të përfshirë opozitën. Dosjet e tjera që shihni janë fakte për denoncimet e qytetarëve apo institucioneve që vijnë te Partia Demokratike, si institucioni më i beshueshëm për shqiptarët sot. E patë se si me dokumentet e Ministrisë së Brendshme u faktua se nga sistemi TIMS Balla udhëtonte 57 herë me trafikant, që ka përfituar miliona euro tendera dhe pasuri publike në zonën e tij. Të tilla fakte dhe prova kemi publikuar dhe do të publikojmë sapo të bëjmë verifikimet e nevojshme për çdo rast.
Pse kaq shumë kallëzime penale mes jush dhe Ballës, PD-së dhe PS-së?
Ne kemi bërë kallëzime penale për shpërdorimet e fondeve publike, për korrupsion dhe lidhjet e qeverisë dhe deputetëve me krimin e organizuar dhe favorizimet që i bëhen krimit. Deputetët e opozitës, përfshirë mua, janë të kallëzuar nga një i dënuar për trafik droge, Agron Xhafaj. Paditë e tjera të PS dhe Rama-Balla, dyshja qeverisëse i bën për të “blerë kohë” duke iu thënë shqiptarëve që jemi të gjithë njëlloj, që të gjithë shkojmë në prokurori dhe gjykata, por askush nuk e harron që opozita shkon sepse denoncon krimin, ndërsa qeveria për miliona euro abuzime, për favorizim të krimit etj. Ne nuk jemi njëlloj. Ata janë përfitues, shkatërrues dhe plaçkitës të Shqipërisë, ndërsa ne denoncues të zullumeve të tyre dhe shpresa e vetme që kanë shqiptarët.
Taulant Balla përmes disa fotove ju akuzon se keni lidhje me persona me precedentë penalë…
Budallallëqe, unë nuk jam në pushtet dhe nuk kam asnjë mundësi për të favorizuar askënd, po ashtu nuk kam mundësi të verifikoj askënd për aktivitetin e tyre. PS dhe qeveria kanë të gjitha institucionet për të dërguar para përgjegjësisë penale cilindo që shkel ligjin. Unë këtë do të beja. Nuk ka askush asnjë mundësi për të përfituar apo për të qenë mbi ligjin.
Diskutime rreth kësaj post