Psikologia Lindita Hoxha e cila punon prej vitesh pranë Gjykatës Penale të Rrethit Gjyqësor Tiranë, rrëfen se në dyert e Gjykatave vijnë çdo ditë raste ku shkak i divorcit janë “lojërat e fatit”.
Lindita Hoxha tha se ditët e fundit ka trajtuar një rast ku çifti është ndare pasi bashkëshorti i humbiste të gjitha të ardhurat në “lojërat e fatit” dhe ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes.
“Ndaj bashkëshortit është bërë kallëzim penal, ai është futur në burg dhe familja ka kërkuar urdhër mbrojtje”, – u shpreh ajo.
E pyetur se a ka pasur raste kur këta persona të varur nga bixhozi kanë hequr dorë dhe familja është ribashkuar, psikologia tha se nuk ka trajtuar asnjë rast të tille.
Sipas saj, kur bashkëshortet janë paraqitur në Gjykatë dhe kanë kërkuar divorcin nuk ka patur më asnjë shans për ribashkim, pasi gratë e kanë falur me dhjetëra herë bashkëshortin.
“Unë personalisht kam trajtuar shumë raste dhe çdo ditë vazhdojnë të shtohen divorcet për shkak të bixhozit. Rastet janë pothuajse të gjitha të ngjashme, ku kryefamiljari i merë të gjitha të ardhurat dhe i humb në lojërat e fatit. Dhe në këto raste fillojnë edhe konfliktet pasi bashkëshortja e ka falur disa herë, e nuk ka ngelur gjë tjetër veç se t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar divorcin”, – theksoi ajo.
Psikologia rrëfen se në dyert e gjykatave vijnë të gjitha moshat duke filluar nga 20 deri në 65 vjeç.
Diskutime rreth kësaj post