Babai i këngëtarit Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, reagon lidhur me raportimet se i biri ka telefonuar me anëtarë të grupit “Bajri” të shkatërruar pak javë më parë në Shkodër, si grup kriminal.
Sali Lushaj tregon atë që sipas tij është e vërteta, duke mohuar që i biri t’u ketë kërkuar ndihmë apo të ketë ndonjë lidhje të dyshimtë me të.
“Ata që janë të interesuar të shpifin, të shikojnë reklamën e lokalit atë natë”, shkruan Sali Lushaj.
Sipas tij, telefonata me pjesëtarët e familjes Bajri ka ndodhur për të kërkuar pagesën, lidhur me një performancë të Stresit në lokalin e tyre.
Por sipas përgjimeve të publikuara në media, thuhet se Stresi i ka kërkuar ndihmë grupit Bajri për tu larguar nga Shqipëria, për shkak se ishte në kërkim nga policia.
Ndaj Stresit, Gjykata e Tiranës vendosi të premten si masë sigurie “arrest me burg”.
Arkimed Lushaj u arrestua këtë të mërkurë në një hotel në zonën e Linzës në Tiranë, ku u kap me kokainë dhe një pistoletë.
Policia tha zyrtarisht se Forca e Ligjit në veprim vuri në pranga një nga anëtarët e një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundërligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit”.
Gjatë kontrollit të ushtruar 31-vjeçarit i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta”, si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm.
Stresi akuzohet për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese dhe të municioneve” si dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.
Ndalimi i tij u bë pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit”.
Foto:
Diskutime rreth kësaj post