Një tjetër kthesë ka ndodhur këtë të enjte në çështjen e shumëdebatuar të “Babales” e kësaj here sërish personazh mbetet Fredi Alizoti.
Gjatë marrjes në pyetje në prokurorinë e Krimeve të Rënda, Alizoti është shprehur se I qëndron asaj që ka deklaruar më parë në organin e akuzës, duke thënë se atij i është premtuar një shumë prej 100 mijë eurosh për të imituar zërin e Agron Xhafajt, vëllait të Ministrit të Brendshëm.
Dëshmia e dhënë këtë të enjte kësisoj hedh hije dyshimi mbi videon e dytë të publikuar dy ditë më parë në emisionin Opinion nga ana e deputetit Salianji. Në videon e dytë përgjuese të publikuar dy ditë më parë, Alizoti shfaqej përpara një personi me zë të paidentifikueshëm dhe shprehej se vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë
Ardi Veliu e kish marrë dhe dërguar në Prokurori, ku dhe kishte tentuar së bashku me deputetin e PS-së Taulant Balla, që t’i mbushnin mendjen që të deklaronte versionin e dhënë nga ai në organin e akuzës më datë 1 qershor.
Nga video e dytë lihej të kuptohej se eksponentët e qeverisë kishin tentuar dhe ja kishin arritur që të manipulonin Alizotin, duke bërë të mundur kështu hedhjen poshtë të pretendimeve të prokurorisë, që më parë deklaronin se në të vërtetë Fredi Alizoti dhe “Babalja” kishin inskenuar të gjithë ngjarjen e përgjimit ku përfshihej vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Por duket se edhe kësaj here, Fredi Alizoti e ka kthyer sërish çëshrtjen dhe debatin në 180 gradë, pasi këtë të enjte është shprehur se ai është një aktor i zërit të vëllait të Ministrit dhe se i është premtuar një sasi e madhe parash, ashtu siç edhe prokuroria ka pretenduar më parë falë përgjimeve të kryera në celularët e Alizotit vetë dhe Babales.
Ndërkohë në lidhje me personin që e “intervistonte” Alizotin në videon e dytë të publikuar pak ditë më parë nga PD, vetë Fredi Alizoti ka konfirmuar se është Florenc Hoxha, ish kreu i Policisë Bashkiake të Tiranës.
Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të dalë në shesh pas marrjes në pyetje të deputetit Ervin Salianji, i cili publikoi videon që turbulloi politikën. Salianji do të dëshmojë në prokurori të premten.
Diskutime rreth kësaj post