Qeveria do t’i japë të drejtë administratës tatimore që të kontrollojë personat të cilët bëjnë shmangie të të ardhurave që marrin nga paga.
Në ligjin për procedurat tatimore do të hyjë në fuqi në vitin 2019-ë një dispozitë e re, e cila do të kontrollojë historikun e individëve që regjistrohen si persona fizikë.
Nëse ata do të rezultojnë se më parë kanë qenë të punësuar pranë një kompanie me të njëjtat të ardhura që deklarojnë çdo muaj si persona fizikë, atëherë tatimorët do të bëjnë rivlerësimin e gjendjes së tyre.
Burime për Televizionin Klan thonë se ndryshimet ligjore po bëhen me qëllim shmangien e pagesës së tatimit mbi pagën, ku për pagat e larta mbi 150 mijë lekë në muaj taksa në Janarin e vitit të ardhshëm është 23%, ndërsa duke deklaruar të ardhurat si person fizik, i punësuari nuk paguan tatim mbi fitimin.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të reflektojë për herë të parë në legjislacionin tatimor edhe taksimin e shitjes së kompanive që operojnë në Shqipëri, por që zotërohen nga të huajt.
Në shumë raste shitja e shoqërive të mëdha ka ndodhur në tregjet ndërkombëtare, por pa tatim fitim mbi kuotat e aksioneve në Shqipëri, siç është shembulli i ndryshimit të pronarëve të Bankers Petroleum, apo Aeroportit të Rinasit.
Diskutime rreth kësaj post