Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për “Babalen”, e quajtur Albert Veliu dhe mikun e tij të ngushtë Fredi Alizoti, të cilët rreth 5 muaj më parë u bënë pjesë e vëmendjes së opinionit publik, pas denoncimit të bërë nga Partia Demokratike të një audio-përgjimi të pretenduar mes Babales dhe vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Në një bisedë, e cila u prezantua në atë kohë edhe nga vet Lulzim Basha, por fillimisht gjithçka u bë publike nga deputeti i kësaj partie Ervin Salianji.
Më pas plasi skandali, u kërkua dorëheqja e Ministrit. Lulzim Basha vuri trupin e tij përpara Fatmir Xhafajt, por në fakt nuk ndodhi asgjë. Ky i fundit e mohoi audio-përgjimin dhe tha që ishte një montim. U bë ekspertiza, prokurorët shkuan në Itali, në Angli dhe gjithçka doli që ishte e montuar. “Babalja” u arratis në Kosovë ku kërkoi dhe strehim politik. Atje u rrëfye dhe gjithçka duket se ka qenë një montazh. Mendja djallëzore e vetë “Babales”, apo mendja e mësuar nga deputetë të PD-së, apo vetë gazetari, kjo është diçka tjetër.
Në emisionin “Opinion” në TV Klan, gazetari Jetmir Olldashi mori përsipër autorësinë e videos menjëherë pasi atë e denoncoi Partia Demokratike, i cili në fakt është një gazetar i lidhur me PD-në, pjesë e strukturave të saj. Olldashi ka qenë një nga drejtuesit e Forumit Rinor dhe pjesë aktive e politikës. Njihet si një mbështetës i fortë i Lulzim Bashës dhe i njerëzve të tij.
Olldashi doli në “Opinion” dhe tha se ai e kishte bërë investigimin e audio-përgjimit, por nuk kishte qenë kur “Babalja” kishte shkuar të fliste me vëllain e pretenduar të Xhafajt, Agron Xhafajn. Pra duke shmangur pak, ose ndoshta duke gjetur një rrugë kalim për të shfajësuar veten që në rast se “Babalja” do të fliste që gjithçka ishte një montazh, ai të dilte pa lagur nga ky investigim. Gjithsesi përtej mungesës së profesionalizmit dhe dorëzimit të gazetarisë tek “Babalja”, nga gazetari Olldashi ka një aspekt tjetër, ai politik i çështjes.
Gazetari tha se ia dha audio-përgjimin, takoi dhe komunikoi me Ervin Salianjin, i cili më pas, ndoshta pasi është konsultuar me Lulzim Bashën e nxori dhe në publik. Por edhe këtu qëndron një problem tjetër. E në rast se gazetari nuk bëri verifikimet e duhura, nuk e konfirmoi që ishte apo jo Agron Xhafaj, në audio përgjimin e “Babales”, e njëjta situatë ndodh edhe me politikën.
Një “Babale” i vogël, përveç atij të audio-përgjimit dhe montimit ishte në PD. Asnjë verifikim, asnjë konsultim mesa duket, asnjë seriozitet në trajtimin e çështjes. Merret një audio e montuar, pa u verifikuar montohet, bëhet zhurmë dhe deputeti Ervin Salianji me grushtin në dorë i binte gjoksit për meritat e mëdha të tij.
Por tani që ka rezultuar se është një përgjim i montuar dhe se nuk ka asgjë të vërtetë duket se gjërat kanë ndryshuar. Por thelbi qëndron tek aksioni politik i opozitës, te Ervin Babalet e Lulzim Bashës. Sepse nëse kemi një “Babale”, i cili stisi një audio, kemi dhe “Babalen” tjetër që është deputeti i PD-së. Ky nuk bëri asnjë verifikim, por hodhi një shashkë duke i dhënë një kosto jo të vogël Partisë Demokratike.
PD-ja menjëherë sulmoi, Lulzim Basha filloi akuzat, por më pas u tërhoq. Këtë e bëri edhe në emisionin “Opinion” kur tha se “Babalja” duhet të ishte në burg, duke e shitur menjëherë dëshmitarin X. Por gjithçka ndodhi pasi ndoshta Basha e kuptoi se kishte rënë në një kurth. Në kurthin e “Babales” së Vlorës, apo “Babales” së tij si deputet, apo gazetar Babaleve që janë në qarkullim, kjo nuk ka shumë rëndësi.
Sot në mënyrë të turpshme Basha sulmoi prokurorët e çështjes dhe e politizoi në ekstrem qëndrimin e Prokurorisë. Megjithse në këtë rast ka bërë sërish një autogol. Një babalizëm tjetër të radhës. E në qoftë se herën e parë ia bënë deputetët apo Babalja vetë, këtë herë e bëri me dorën e tij.
Sot Lulzim Basha sulmoi prokurorët duke thënë se kishin mbajtur qëndrime poltike dhe se kjo ishte një çështje e planifikuar nga Edi Rama. Një broçkull që nuk e beson më askush, pasi prokurori që ka firmosur arrestimin e “Babales”, bashkëpunëtorit të tij dhe ka kërkuar detyrim paraqitjeje për Jetmir Olldashin, ka qenë prokuror i grupit të hetimit dhe ka firmosur arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ish-ministrit të Ramës. Prandaj broçkulla ngelet broçkull dhe i del tymi shpejt asaj flake që i hidhet benzinë, në mënyrë të gabuar.
Por çfarë ndodhi?
Basha sulmoi prokurorët për të shpëtuar “Babalen” që e kishte shitur, apo gazetarin dhe deputetët e tij që duket se janë në hall. Deputeti tjetër Enkelejd Alibeaj, por edhe këshillatri për ligjet në grupin e PD-së, Gazmend Bardhi, ish-ministri i Drejtësisë, në Prokurori duket se kanë dalë dhe janë spostuar menjë anë lidhur me çështjen. Ata kanë thënë se nuk kanë marrë pjesë në investigim dhe gjatë daljeve të tyre publike kanë qenë pjesë vetëm e denoncimit që kishte të bënte me dënimin që kishte marrë vëllai i Ministrit të Brendshëm, në Itali.
Por dje në Prokurori ka qenë Ervin Salianji, deputeti i Partisë Demokratike, i cili mori përsipër, apo siç u tha dhe nga gazetari Olldashi ishte vetë ai që e çoi audio-përgjimin në PD dhe më pas shpërtheu “bomba” politike e disa muajve më parë. Tani kemi kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e dy personave, “arrest me burg” dhe thellimin e investigimit. Kemi detyrim paraqitje për gazetarin Olldashi, Salianjin që ka folur dhe dy deputetë që i janë shmangur përgjegjësisë së tyre ligjore.
Në fakt ne sot e kemi të vërtetuar që kemi Ervin Babale të opozitës, të cilët marrin audio-përgjime, bëjnë skandale dhe vazhdojnë të qetë, por kjo nuk duhet të ndodhë më në politikë. Nuk duhet të ndodhë më në Partinë Demokratike, nuk duhet të kemi më Ervin Babale, të cilët hedhin shashka dhe i faturojnë një kosto të madhe opozitës. Një betejë të nisur drejtë prej saj për vëllain e Ministrit të Brendshëm, e kthyen në një flluskë sapuni duke u përpjekur që të ngrinin një re të madhe tymi, po në fakt nuk bënë gjë tjetër veçse i shpërndanë retë.
Këtë bënë Ervin Babalet e Lulzim Bashës të vendosur në lista pa asnjë vlerë dhe kontribut politik. Ata janë thjeshtë “Babalet” e radhës, të cilët Lulzim Basha i do nga pas si mercenarë, por që në realitet japin këto kosto që ka sot PD-ja dhe që Basha i di, i pranon, por i ka zgjidhje për mbijetesën e tij. Sepse vetëm me Ervin Babalet, Lulzim Basha mund të mbijetojë në krye të Partisë Demokratike.
Sot shqiptarët e panë të gjithë, demokratët e provuan se PD-ja minimalisht ra në kurthin “e pretenduar” se ka ngritur “Babalja”, maksimalisht janë të gjitha dyshimet të jetë një kurth i ngritur nga Ervin Babalet në selinë e PD-së, por kjo ngelet për tu hetuar dhe verifikuar nga Prokuroria.
Kush janë përgjegjësit e atij shantazhi e atij manipulimi tani ngelet vetëm të presim që drejtësia t’i vendosë me shpatulla pas murit. Qofshin gazetarë, qofshin deputetë ata duhet të mbajnë përgjegjësi për atë tym që ngritën. Qoftë Ervin Babalja apo “Babalja” i vërtetë manipulatori i asaj që ndodhi.
Foto:
Diskutime rreth kësaj post