Lotaria amerikane është vendosur nga Kongresi dhe vetëm Kongresi mund ta shfuqizojë atë.
Është kjo përgjigjja që ka dhënë sot në studion e emisionit “Rreze Dielli” zëvendës konsulli i ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, Omar Medina, pas pyetjes nëse ka ndonjë iniciativë për ti dhënë fund këtij programi.
Lotaria Amerikane është vendosur nga Kongresi dhe mund të shfuqizohet vetëm nga një akt i Kongresit. Programi është aktiv tani, për çdo informacion mund ti referoheni zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, por për momentin programi është aktiv dhe ligji nuk ka ndryshuar.
Omar Medina
I ftuar në studion e “Rreze Dielli” ishte edhe specialisti për vizat pranë ambasadës amerikane, Lorenc Mansaku i cili shpjegoi se cilat janë disa prej pikave më të rëndësishme që duhet të kemi parasysh gjatë aplikimit të lotarisë.
Mund të përdorni ndihmën e mikut tuaj për të plotësuar aplikimin, por e rëndësishme që të jeni aty kur plotësohen të dhënat tuaja dhe të merrni numrin e konfirmimit që ta ruani atë. Në 7 maj mund të shihni në faqen e departamentit të shtetit nëse jeni përzgjedhur. Kur bëni aplikimin nuk vjen asnjë email, ndaj numrin e konfirmimit duhet ose ta printoni ose ta ruani. Ka rëndësi që të keni akses edhe tek adresa juaj e emailit, mund ta rigjineroni numrin e konfirmimit nëse e keni humbur por duhet të keni të vlefshme adresën tuaj të emailit. Ajo çfare përbën problem është ngatërrimi i fotografisë, ruajeni me emrat e gjithësecilit që të mos e ngatërroni pasi ky është një gabim që nuk lejohet
Lorenc Mansaku
Gjatë bisedës, Zv.Konsulli amerikan Medina shpjegoi dhe “mitin” që korçarët janë më të favorizuarit nga lotaria amerikane.
E kam dëgjuar këtë histori. Mënyra se si përzgjidhen fituesit është që qendra konsullore në Kentucky ka një sistem kompjuterik që përzgjedh në mënyrë rastësore fituesit. Pra gjithçka bazohet tek teknologjia dhe nuk ka asnjë preferencë ndaj një zone të caktuar. Kompjuterat kontrollojnë se kush përzgjidhet , asnjë prej nesh nuk bën asnjë ndërhyrje tek ky proces, dhe nuk besoj që të jetë dikush nga Korça që manipulon kompjuterat. Është gjithçka automatike në Kentucky.
Omar Medina
Cdo vit rreth 50 mijë njerëz nga më shumë se 14 milionë aplikues nga e mbarë bota përzgjidhen si fitues të lotarisë “diversiteti” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët që aktualisht përbëjnë numrin më të madh të aplikuesve në Ballkanin Perëndimor shënuan vitin e kaluar rekordin historik me 376 mijë aplikues që tentuan fatin për të prekur ëndrrën amerikane.
Diskutime rreth kësaj post