Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot ndaj akuzave të opozitës lidhur me skandalin e dhunimit të 25-vjeçares, Xh.M nga djali i deputetit të Fushë-Krujës, Rrahman Rrahja. Në rrjetin social Twitter, kryeministri shprehet se janë të mjerë ata që besojnë akuzat e opozitës ndaj qeverisë.
“Arrestim fasadë”!Ja dhe një prurje e re e jashtënxjerrjes politike mbi vajzën e kthyer në mish për topat e dëshpërimit opozitar! Domethënës sulmi ndaj prokurorisë: Gratë prokurore s’janë as gra, as nëna, as vajza po bashkëpunëtore të krimitMjerë kush i beson këta të paudhë”,- shkruan Kryeministri Edi Rama.
5 ditë pas publikimit në media të detajeve të dhunimit të vajzës dhe dy muaj pas denoncimit të saj, Prokuroria ka firmosur arrestimin e djalit të deputetit të Fushë-Krujës. Opozita deklaron se qëllimisht procedurat janë vonuar dhe se qeveria është përpjekur të fshehë një krim të rëndë ndaj një vajze të pambrojtur. Për këtë qëllim, opozita dhe shoqëria civile kanë njoftuar sot një protestë para godinës së Kryeministrisë, në orën 17:30. Deputetja e PD, Jorida Tabaku u bëri thirrje qytetarëve dhe sidomos grave dhe vajzave që sot të jenë në shesh për të protestuar kundër dhunës dhe krimit qeveritar.
Duke u ndalur në vonesat e institicioneve dhe shmangien e procedurës për arrestimin e djalit të deputetit, Tabaku tha se ajo që ka ndodhur këto ditë është prova e një regjimi mafioz që po instalohet në vend. “Tani është momenti për ta ndalur këtë pushtet mafioz! Nëse tolerojmë në heshtje, radha që banditët dhe kriminelët të veshur me pushtet të na ndjekin këmba-këmbës do të na vijë ne dhe fëmijëve tanë! Sot unë do t’i bashkohem protestës së qytetarëve të lirë, përpara kryeministrisë në orën 17.30 për të treguar se jam një njeri i lirë, se jam një nënë që nuk pranon që fëmijët e saj të rriten nën pushtetin e krimit!”,- deklaroi Tabaku. Edhe ish-ministrja e Integrimit, deputetja e LSI, Klajda Gjosha deklaroi sot se të gjitha gratë dhe qytetarët e këtij vendi duhet të jenë në tubimin e pasdites, si shenjë reagimi ndaj një qeverie që po bëhet njësh me krimin.
Ndërkohë Policia e Shtetit dhe Qeveria deklarojnë se për këtë rast dhune janë ndjekur të gjitha procedurat sipas ligjit. Ministria e Brendshme ka reaguar sërish sa i takon veprimeve të policisë për rastin e Xhisiela Malokut. Zëvendësministrja Romina Kuko tha se nga ana e policisë nuk ka pasur asnjë favorizim.
“Gjykojmë të arsyeshme dhe nuk do të rreshtim së përsërituri se nuk ka patur asnjë favorizim të askujt pavarësisht emrit apo mbiemrit që mban. Ky është momenti të ritheksojmë se kallëzimi dhe ndjekja penale e të kallëzuarve nuk u mbyllën nga policia edhe pse denoncuesja insistoi të tërhiqte padinë”, tha Kuko.
Ai shtoi më tej, se nga ana e policisë pati reagim ndëshkues duke pezulluar dhe proceduar penalisht në Prokurori punonjësin e Policisë, i cili nuk veproi konform ligjit dhe detyrës. “E ritheksojmë se Policia e Shtetit nuk është ndjerë e intimiduar nga asnjë palë dhe nga askush dhe veprimet e saj kanë qenë korrekte dhe profesionale”, shtoi më tej Kuko.
Diskutime rreth kësaj post