Prokuroria është i vetmi institucion, i cili ende nuk ka folur për çështjen e nxehtë që ka përfshirë ditët e fundit opinionin publik shqiptar; dhunën sistematike të ushtruar ndaj një vajze jetime prej djalit të deputetit socialist të Krujës Rexhep Rraja; përpjekjeve të policisë për të mbyllur çështjen dhe roli i Taulant Ballës në gjithë këtë histori.
Aktualisht në organin e akuzës përveç dosjes që hetohet pas denoncimit të 25 vjeçares Xhiselda Maloku, janë dorëzuar edhe dy kallëzime nga Balla për “shpifje”; ajo ndaj denoncuesit Nënkomisar Emiliano Nuhu dhe si intervistuesit të tij, gazetarit Basir Çollaku.
Nga na tjetër ende nuk ka asnjë sinjal nëse prokuroria po heton për praninë në zyrën e oficerit të policisë, në momentin kur u kërcënua me pistoletë në kokë të NR2 të Rilindjes, Taulant Balla. Edhe pse Nuhu e ka denoncuar ngjarjen në komisariatin 6 që në fund të muajit Korrik, edhe pse i ka dërguar një letër Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku që më 14 Shtator ku rrëfehet me detaje skandali i paprecedent, ende nuk ka sinjale se po lëviz diçka në këtë drejtim.
Nuk ka asnjë të dhënë nëse janë sekuestruar kamerat e ambienteve të policisë ku pretendohet se ka hyrë Balla, kryetari i bashkisë Krujë Artur Bushi dhe deputeti Rraja, mbrëmjen e 21 Korrikut të këtij viti. Nuk dihet se përse nuk po bëhet ky veprim; ekzistojnë ende pamjet në intervalin kur pretendohet vizita VIP në zyrën e Nuhos, janë fshirë, nuk kanë punuar fare apo…
Të vetmet përgënjeshtrime ndaj akuzës së oficerit të policisë janë deklarimet e protagonistëve të skandalit; vetë deputetit Taulant Balla, kryetarit të bashkisë Bushi, deputetit Rraja dhe Policisë së Shtetit.
Kjo e fundit pas denoncimit publik nga Nënkomisar Nuhu deklaroi se dy deputetët, “nuk kanë hyrë në komisariat më datën 21 Korrik”. Thotë kështu policia e shtetit, por nuk denjon që të japë detaje se në këtë përfundim ka mbërritur, pasi së bashku me prokurorinë kanë verifikuar pamjet nga kamerat e komisariatit dhe pyetjes së dëshmitarëve të mundshëm të asaj nate. Nëse janë mjaftuar vetëm me deklarimet publike të Ballës, Bushit dhe Nuhut, atëherë duhet të ndërhyjë Arta Marku, sepse vetëm Prokuroria e Përgjithshme ka tagrin, për të hetuar personat me imunitet dhe në këtë rast kemi “3 copë” që jo vetëm e gëzojnë atë, por janë edhe nga radhët e mazhorancës në pushtet.
Kurse historia e alibisë së Taulant Ballës është mjaft e qepur keq, deri në kufijtë e qesharakes. Fillimisht pasi u shfaq në TV Shijak në orën 13.00 dëshmia e oficerit Nuhu më 26 Shtator, Balla doli 2 orë më vonë për mediat dhe deklaroi, se më 21 Korrik ka qenë diku nëpër Shqipëri me “një aktivite publik”. Nuk tregoi as qytetin apo fshatin, as natyrën e “aktivitetit publik” dhe as me kë e për çfarë e kishte kryer.
Pas presionit mediatik dhe atij publik, Balla gjatë një ndërhyrje natën e të mërkurës deklaroi në “Opinion”, se atë ditë (21 Korrik) ka qenë për peshkim në Pogradec dhe këtë e vërteton me një postim që ka bërë në faqen e tij në Instagram. Në fakt ekziston vërtet ky postim i shoqëruar edhe me një foto ku Tao i Librazhdit, shfaqet si peshkatar me diçiturën; Peshkimi nuk është vetëm sport…
Por edhe me këtë “fakt” në ndihmë të alibisë së tij, Balla cedon. Postimi ka një datë tjetër nga ajo që pretendon Nënkomisar Nuhu dhe Instagramin nuk mund ta falsifikosh dot, edhe pse je “Rilindas i plotfuqishëm”. Postimi është bërë më 22 Korrik, pra Balla paska qenë “për aktivitet publik” një ditë më pas. Gjithsesi ditën e mërkurë nuk tregoi, se më ka qenë për peshkim. Këtë u detyrua ta plotësojë një natë më vonë, mbrëmë po te emisioni “Opinion”. Gjatë një ndërhyrje nevrastenike që i habiti të tërë me përroin politik dhe të justifikimeve që nuk pushonte, mes të tjerave i tha Blendi Fevziut, se kishte qenë në Pogradec me Turian Hyskën. Ja këtu në Klan e keni, pyeteni-i tha drejtuesit të emisionit.
Për Fevziun që ka gjithë atë staf me gazetarë me përvojë, do të ishte gjëja më e thjeshtë që të pyeste live Turian Hyskën, por nuk e bëri.
Ky i fundi që “rastis” që të jetë edhe vëllai i kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Socialiste, ende nuk ka folur publikisht për të treguar nëse se ka qenë me Ballën atë ditë (më 21 Korrik) në Pogradec për peshkim, kush ishin personat e tjerë dëshmitarë të këtij “aktiviteti publik” të superdeputetit të Rilindjes, apo kanë qenë dyshe, tek për tek të dy!
Gjithsesi atë që nuk e bëri live në emision Fevziu dhe nuk po e bën as Turjan Hyska (të dy personazhe shumë ë njohur publik të medias televizive), duhet ta bëjë prokuroria. A do ta thërrasë ajo Turian Hyskën për të rrëfyer me detaje, “aktivitetin publik”, të Taulant Ballës gjatë ditës (natës më saktë) së 21 Korrikut 2018, kur oficeri Nuhu pretendon se është kërcënuar në zyrën e tij me pistoletë në kokë, edhe në prani të kryetarit të grupit parlamentar të PS?
Foto:
Diskutime rreth kësaj post