Deputeti i LSI-së, Luan Rama, ka ironizuar Kryeprokuroren Arta Marku, e cila së fundmi ka krijuar një përplasje me 10 prokurorë të Krimeve të Rënda.
“Mëshirojeni Artën! Unë jam krenar për Prokuroren e Përgjithshme të vendit tim! Sepse ajo është e zonja; profesionalisht e pakrahasueshme me të gjithë prokurorët e tjerë të marrë së bashku, shumica e të cilëve ca barkaluqë të dhjamosur që gogësijnë e djersijnë mbi dosjet e krimit, korrupsionit e paaftësisë së tyre.
Por është edhe elokuente e gjithë sharm sa të mahnit, aq sa do të ishte mirë që oratoria e saj të merret si model i perfeksionit në komunikimin publik! Është edhe elegante sa për t’ia patur zili, është edhe mishërim i intelektualizmit dhe sqimës që buron prej faktit se librin e ka po aq të domosdoshëm sa edhe ajrin, e nuk e ndan nga dora as në makinë kur udhëton prej zyrës në shtëpi e anasjelltas! Eshtë fiks siç duhet të jetë një zonjë e emëruar në një post të lartë të hierarkisë shtetërore.
Ndaj, të gjithë ju që shkruani kundër saj, lëreni Artën të qetë, lëreni t’a përdorin për atë që ajo ka pranuar të përdoret!
Mëshirojeni Artën, sepse ajo është shëmbëlltyra më kuptimplotë e qasjes së tufës që e ka votuar ndaj shtetit dhe zbatimit të ligjit!
‘Injoranca e krenaria, shkojnë bashkë si shtati e hija’, ka thënë At Gjergj Fishta”, shkruan Luan Rama
Diskutime rreth kësaj post