Pas përfundimit të një sërë projektesh të rëndësishme për kryeqytetin, si ai i sheshit “Skënderbej”, Pazari i Ri, apo edhe vijimi i projektit për Bulevardin e Ri, Bashkia e Tiranës do të nisë javën tjetër punën për zbatimin e një tjetër projekti madhor. Bëhet fjalë për ndërtimin e Terminalit të Autobusëve që do të ngrihet në pjesën hyrëse të Tiranës, nga ana perëndimore.
Lajmin e shumëpritur e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në rrjetet sociale, ku thekson se ndërtimi i këtij terminali do t’i japë zgjidhje hyrje-daljeve të autobusëve në Tiranë dhe shpërndarjen e pasagjerëve nëpërmjet mjeteve të tjera të transportit.
“Jemi gati për ‘Tirana West Terminal’. Javën tjetër nisim Terminalin e Autobusëve interurbanë në zonën perëndimore të qytetit që zgjidh përfundimisht hyrje-daljet në Tiranë dhe lidhjen multimodale me bus/biçi/taxi në pjesën tjetër të qytetit!”, shkruan kryebashkiaku në Twitter.
Projekti që është hartuar nga studio prestigjoze ndërkombëtare “GrimshawArch & EBRD” parashikon kushte moderne për lëvizjen e autobusëve dhe shpërndarjen e pasagjerëve, nëpërmjet mjeteve të tjera të transportit. Gjithashtu, ai parashikon mjedise ndihmëse për mirëmbajtje, shërbime e furnizime të mjeteve të transportit; ambiente sociale dhe hoteleri, për akomodimin e udhëtarëve. Stacioni “Tirana Bus Terminal” do të ndërtohet në afërsi të kthesës së Kamzës.
Diskutime rreth kësaj post