Qeveria ka ulur me tre herë pagesat për kompensimin e pronarëve në 7 muajt e parë të këtij viti.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për periudhën Janar-Korrik fondet që buxheti ka dhënë për të kompensuar pronarët zbritën në 1.3 miliardë lekë, kur për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar qeveria dha 3.7 miliardë lekë.
Në vitin 2015 qeveria ndryshoi ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave duke paraqitur një formulë të re kompensimi për pronarët.
Sipas formulës, fatura totale për kompensimin në vlerë të pronarëve rezultoi 50 miliardë lekë, të cilat qeveria u zotua t’i likuidonte brenda 10 vitesh me këste të barabarta duke dhënë 5 miliardë lekë çdo vit.
Por sipas të dhënave zyrtare, nga vetë qeveria, fondi nuk është respektuar në asnjë vit. Sipas Ministrisë së financave vitin e kaluar, fondi total që u shpërnda për pronarët ishte 4 miliardë lekë, ndërsa këtë vit shifra pritet të jetë edhe më e ulët.
Procesi i kompensimit në vlerë të pronarëve ka nisur në vitin 2010. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtyre 7 vjetëve buxheti i shtetit ka dhënë rreth 17 miliardë lekë ose 135 milionë euro për të kompensuar pronarët.
Veç parave të shpërndara direkt nga buxheti, qeveria ka paguar ose është në proces pagimi edhe 40 milionë euro të tjera, të cilat burojnë nga dënimet e Gjykatës së Strasburgut.
Fatura financiare e kompensimit të pronave nuk ka qenë asnjëherë e qartë, kjo dhe për faktin pasi formula e kompensimit është ndryshuar disa herë. Me ligjin e ri, qeveria thotë se kompensimi në vlerë përmbyllet me 50 miliardë lekë, por kjo formulë është kundërshtuar nga pronarët si e padrejtë.
Foto:
Diskutime rreth kësaj post