Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka reaguar në lidhje me përjashtimin e 16 mësuesve në shkollën e Çermës së Sipërme në Lushnjë. Sipas MASR, mësuesit kanë kryer shkelje. Ministria sqaron se ata janë zëvendësuar dhe nuk do të ketë asnjë pengesë për të vijuar normalisht procesin mësimor.
“Sqarojmë opinionin publik se:
Bazuar në kallëzimin e bërë gjatë viteve 2010-2013 se në shkollën 9-vjeçare Çermë e Sipërme ka pasur regjistrime fiktive, Prokuroria e Lushnjës ka regjistruar procedimin penal për “Falsifikimin e dokumenteve shkollore”.
Prokuroria e Lushnjës ka filluar hetimet prej disa kohësh për këtë rast duke kërkuar sot nga gjykata pezullimin e 16 mësuesve.
Ky vendim është zbatuar menjëherë nga Zyra Arsimore Lushnje duke marrë masa të menjëhershme për zëvendësimin e këtyre mësuesve dhe mos pasur asnjë pengesë për mbarëvajtjen mësimore.
Ministria e Arsimit mbështet vijimin e hetimit nga organet ligj-zbatuese dhe siguron se për nxënësit e shkollës nuk do të ketë asnjë pengesë për të vijuar normalisht procesin mësimor.
Ftojmë prindërit, mësuesit dhe nxënësit të denoncojnë çdo shkelje apo parregullsi të konstatuar në sistemin tonë arsimor”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Diskutime rreth kësaj post