Së shpejti në Shqipëri do të nisin goditjet në nivele të larta. Procesi i integrimit nuk lë më vend për lojrat e poltikanëve shqiptarë, Parlamenti Europian kërkon që të mos ketë më asnjë vonesë sa i takon ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe goditjes së korrupsionit në nivele shumë të larta. Çdo vit PE miraton një rezolutë për vendin tonë, ku jepen direktivat mbi zbatimin e kushteve me qëllim integrimin e vendit në BE.
Në draftin paraprak të propozuar nga raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein, të cilit i janë bashkangjitur plot 174 amendamente të siguruar nga “Sot”, eurodeputetët kanë kërkuar të ndryshojë rezoluta e një viti më parë dhe të jepen një sërë direktivash për qeverinë dhe politikën shqiptare. Këto amendamente do të diskutohen në Komisionin për Politikën e Jashtme dhe më pas rezoluta bashkë me to do i shkojë Parlamentit Europian.
Por ajo që bie në sy është se PE kërkon më tepër vëmendje te reforma në drejtësi, lufta antikorrupsion, reforma zgjedhore dhe te konsensusi politik. Ajo që bie në sy është se rreth 20 amendamente kanë të bëjnë me luftën antikorrupsion dhe ngritjen e SPAK dhe BKH. BE kërkon të mos ketë më asnjë zvarritje të tyre, por të ngrihen sa më shpejt.
“PE mirëpret ndryshimet e fundit ligjore për luftën anti-korrupsion; thekson nevojën për të përfunduar sa më shpejt ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; përsërit rëndësinë thelbësore të zbatimit të procesit të vetingut në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të paanshme; thekson se zbatimi korrekt ka influencë pozitive në rritjen e besimit të popullit te trupat gjyqësorë; i bën thirrje qeverisë të veprojë kundër zyrtarëve të lartë që nuk kanë deklaruar të dhënat e tyre kriminale; bën thirrje për përmirësim të bashkëpunimit institucional dhe këmbim të informacionit mes policisë dhe prokurorisë; mirëpret rivlerësimin e personelit të organeve të rendit sipas ligjit të vetingut në polici”, thuhet aty.
Më tej BE kërkon që të ashpërsohet lufta antikorrupsion. Aty theksohet se parimisht mbështetet hapja e negociatave në qershor 2019, pasi sipas tyre, sapo të ndodhë kjo do rritet monitorimi për të çuar para drejtësisë “peshqit e mëdhenj”. Kjo do të thotë se me ardhjen e qershorit nisin goditjet në nivele të larta.
“Mbështesim plotësisht rekomandimet e Komisionit se negociatat e aderimit duhet të hapen në formë njohjeje për përpjekjet e reformave të bëra nga Shqipëria; vërejmë vendimin e Këshillit për rivlerësimin e situatës në qershor 2019 dhe mirëpresim rrugën e qartë që është hartuar drejt hapjes së negociatave, duke theksuar faktin se procesi përgatitur screening ka nisur; i bëjmë thirrje Këshillit të vlerësojë me rreptësi dhe objektivitet progresin e arritur nga vendi dhe të mbajë konferencën e parë ndër-qeveritare në fund të vitit, në rast të vazhdimit të progresit të reformës në drejtësi dhe të rezultateve në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke inkurajuar Shqipërinë të ruajë ritmin e reformave; konsiderojmë se hapja e negociatave është një tjetër nxitje për reformat dhe thellimin e tyre”, thuhet aty. Eurodeputetë kërkojnë që lufta ndaj korrupsionit të mos tolerojë asnjë, madje dhe pushtetarët e lartë. “Kërkojmë një vëmendje më të madhe për të luftuar korrupsionin në sektorin publik dhe privat. Të forcohen të dhënat proaktive në ndjekjen penale dhe dënimin përfundimtar për korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë dhe nivelet e larta”, citohet në draft.
Diskutime rreth kësaj post