Tirana përkujtoi sot 76-vjetorin e Konferencës së Pezës, një prej ngjarjeve më të mëdha e më të rëndësishme të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve. Veteranë lufte, përfaqësues të ekzekutivit, deputetë e drejtues të pushtetit vendor, nderuan veprën dhe sakrificën e të gjithë të rinjve e të rejave që iu bashkuan kauzës së luftës për çlirimin e vendit.
Në fjalën e tij në ceremoninë përkujtimore, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi rëndësinë e kujtimit të kësaj ngjarje dhe të mesazheve që ajo përcjell edhe tek brezat e tjerë. “Ne besojmë shumë fort se një nga gjërat që duhet t’ia kalojmë gjeneratës së re është kujtesa, se jemi një komb që nuk kemi ardhur nga hiçi. Ky vend ka histori, ka memorie, ka patur organizime, idealistë, progresistë, luftëtarë. Ky vend i ka lënë mënjanë bindjet politike, kur ka ardhur puna për të shpëtuar Shqipërinë. E nëse rrisim një brez të ri me këtë koncept sot, atëherë nuk ka gjë që na ndalon. Kombet që dinë, janë kombet që ecin përpara, kombet që harrojnë janë kombet që bëjnë të njëjtat gabime”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se Konferenca e Pezës është një mësim i madh për të gjithë shqiptarët për të mos penguar njëri-tjetrin, por për të punuar së bashku për progresin. “Po ndërtojmë sot shtet, po ndërtojmë qytet, që kur të shkruhet historia pas 76 viteve, të themi: Po, ne ishim në anën e duhur, siç ishim 76 vite më parë në anën e duhur të historisë. Bashkëpunuam që Shqipëria të ecë përpara. Por, pyetja është kjo: A po e bëjmë këtë të gjithë? Mendoni se do të shkruajë njeri pas 76 vitesh historinë sesi shajmë njëri-tjetrin nëpër rrjete? Sesi pengojmë çdo punë publike? Sesi nuk bashkohemi në një aksion pastrimi apo mbjellje pemësh? Si ka mundësi? Po të ishin gjallë pjesëmarrësit, nga Babë Myslymi dhe të tjerët, të majtë e të djathtë, nga Konferenca e Pezës, dhe të shikonin që ne kacafytemi për të penguar njëri-tjetrin, kjo nuk është normale. Ne nuk mund të pengojmë sot zhvillimin e Shqipërisë, të Tiranës, Pezës”, tha Veliaj, teksa shtoi se kush është patriot i vërtetë, mbi të gjitha duhet të jetë një shqiptar që do progresin e më pas partinë.
Foto:
Diskutime rreth kësaj post