Në pesë vitet e fundit, pasuria financiare e shqiptarëve është rritur me rreth 104 miliardë lekë, ose 12.6%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo pasuri vlerësohet të jetë rreth 940 miliardë lekë dhe llogaritet si diferenca mes mjeteve dhe detyrimeve të individëve në instrumente financiare.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, individët zotëronin në fund të muajit korrik 951 miliardë lekë depozita në sistemin bankar. Këtyre iu shtohen edhe investimet në tituj financiarë, qoftë direkt apo nëpërmjet fondeve të investimit.
Investimet e individëve në bono, në mesin e këtij viti, kishin vlerën e afro 96 miliardë lekëve. Ndërkohë, kontributi i individëve në fondet e investimit vlerësohet në rreth 65 miliardë lekë, megjithëse për momentin statistikat nuk ofrojnë një ndarje mes kuotave të zotëruara nga individët dhe atyre që iu takojnë personave juridikë.
Një investim tjetër, që ka nisur në vitet e fundit, është ai në obligacione të shoqërive tregtare. Megjithëse nuk ekzistojnë statistika të plota, vlera e obligacioneve të korporatave llogaritet në rreth 7 miliardë lekë, të mbajtura në pjesën më të madhe nga individë.
Në total, asetet financiare të individëve arrijnë në rreth 1.13 trilionë lekë. Po të zbresin kredinë për individë në sistemin financiar, që ka vlerën e 181 miliardë lekëve, shuma e ngelur prej 938 miliardë lekësh përbën atë që në nivel makroekonomik mund të quhet pasuria financiare e shqiptarëve. E matur si pasuri për frymë, ajo do të rezultonte në rreth 323 mijë lekë apo afërsisht 2550 euro.
Diskutime rreth kësaj post