Në serinë e artikujve të rubrikës sonë “Rikthim në të ardhmen”, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, një artikull të botuar në revistën “Agimi” të Shkodrës, me drejtues Prof. Karl Gurakuqi. Artikulli është marrë nga numri i Shtatorit 1921.
Autori me iniciale P.T. shkruan për rëndësinë që ka arsimi në formimin e kombit dhe të shoqërisë në përgjithësi, në një kohë trazirash të mëdha për Shqipërinë. Ka vetëm 9 vjet që është shpallur pavarësia dhe Shqipëria mbetet nën ndikimin e rrymave të ndryshme, sa nga lindja, sa nga perëndimi.
“Breznija e vjetër âsht tue prendue, e po afrohet e reja; po të lëhet edhe kjo pas dore, pa arësim e pa edukacjon, kishte për të dalë për dam e rrezik të komit e të shoqnis.”
Reformat intelektuale e morale qi e perkohshmja “Shkolla e ré” orvatet me zbatue per nji të rritun të mirë e të mbarë të masës së ré kanë me ndeshun pa dyshim, në kundershtime e në pengime gjithfarësh si kah zakonet shtëpijake e ashtu edhe kah mënyra e sistemat e edukacjonit të perdorueme prej shumicës së madhe të mësuesvet. Prandej tham se fryte të shpejta prej zbatimit të këtyne teorinave s’kemi pse presim për pa gatitë mësuesit e pa i qitë poshtë ato gjykime të gabueshme e të damshme të méndjemdhajve, d.m.th. t’atyne nierzve qi gabimisht kujtojnë se vetëm tue dijtë shkrim e këndim janë mjaft të zot për m’u ba edukatorë të popullit.
Vepra e edukacjonit të nieriut, kështu edhe nji komit mbarë, mund t’i gjasohet kujdesit, mundit e kohës së gjatë qi lypin bimët e njoma per m’u rritë e m’u bâ lisa të mdhaj. Në masen t’onë të ré duhen pra qortue shum gabime të jetës shtëpijake e shoqnore per në daçim me i çilë shteg nji kohës së lumnueshme e me bâ qi në popull të hyn dashtnija per të verteten, urtín e drejtsin, virtyte të çmueshme, pa të cilat âsht kot qi të mundohemi me pertrî e me mkamë moralisht komin t’onë.
S’ka nieri qi s’e shef e s’e kupton nevojen e madhe qi ka atdheu i ynë për arësim e sidomos për edukacjon moral i cilli asht themeli i përparimit e i qytetnis të nji populli. Por a thue i kemi perftue mirë kujdeset qi lypë nji punë kaq me randsi?
Tue kundrue si duhet qellimin të thuejsh fjesht edukativ, qi kanë shkollat fillore të sotshme në botë të qytetnueme, e tue vrejtë kthjelltas udhët qi kanë ndjekë popujt e urtë në permirsim të misjonit të tyne, të shofim kjarisht çka na mungon né e se çka duhet të bâjmë per me nxjerrë frytin e lakmueshem edhe prej shkollave t’ona, për të cilat sot jena tue derdhë mundë e të holla pa pasë prej tyne dobín qi lypet.
Per me krye plotsisht qellimin e edukacjonit komtar duhen pik sëparit mësues t’aftë, mësues qi t’a kuptojnë mirëfillit misjonin e vet e t’a dijnë se në veper të tyne të pervujtë, por të madhnueshme pshtetet uzdaja e lulzimi i atdheut.
Tue kenë se edukacjoni ka per qellim zhvillimin e ndisive të njeriut, të cillat përbajnë karakterin e tij, rrjedh prej vedit se po s’ju dha masës së re nji drejtim i mirë e i vjefshëm në mirëveti, këjo s’ka per të përparue e s’ka për t’u bâ nji element i dobishëm per kom të vet e për shoqni. Populli i jonë i stolisun prej natyre me nji ménde të prehtë e me ndisi bujare, po të bijë në dorë t’edukatorve të mirë, kishte me u disiplinue në pak kohë.
Dishiplina âsht ajo qi e bân nierin të vjefshëm e t’aftë për me perparue. Me shumë arsye thotë Kant se mungesa e dishiplinës âsht nji e keqe fort mâ e madhe se mungesa e kulturës, se pse këjo mund të vehet në vend mâ vonë, ndërsa egersimi në nji njeri të plekun s’ka mâ si qortohet, as veset e dishiplinë s’kanë si hiqen mbasi t’bâhen petk.
Mungesa e nji parimit drejtues të çilun të shkollave fillore, pazotsija e disa nierzve qi i mashtrojnë, dyshimi në të cillin bienë shumë mësues në të zgjedhun të metodikës, pa rregullimi në zhvillim të landve, janë sende qi pengojnë e rrenojnë veprën e edukacjonit komtar.
Per me ndërtue veprën e naltë të mirëvetis, lypen pra edukatorë të virtytshëm e me duresë, edukatorë qi t’orvaten me zell për me i dhënë edukacjonit nji zhvillim të mirë e të përshtatshëm për popull t’onë. Breznija e vjetër âsht tue prendue, e po afrohet e reja; po të lëhet edhe kjo pas dore, pa arësim e pa edukacjon, kishte për të dalë për dam e rrezik të komit e të shoqnis.
Foto:
Diskutime rreth kësaj post