Rikthehet “paqja” mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ambasadorit amerikan në largim Donald Lu.
Megjithëse e ka akuzuar jo pak publikisht që nga ndërhyrjet për reformën në drejtësi e deri tek akuzat për korrupsion, ish-kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim lamtumire me ambasadorin Lu. Berisha ka publikuar foton e takimit në rrjetet sociale duke u mjaftuar me frazën: “Takim lamtumire me ambasadorin amerikan Donald Lu! sb”.
Kreu, me ndikimin ndoshta më të madh në politikën shqiptare i një misioni diplomatik amerikan, Lu u kthye në sinonimin e deklaratave të forta e të drejtpërdrejta, nxitjes së Reformës në Drejtësi dhe kërkesës për ndëshkime konkrete.
Ishte falë përpjekjeve të tij, që për të parën herë dy zyrtarë të lartë shqiptarë morën atë që konsiderohet një “ndalim publik” nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Mbyllja e këtij mandati nuk nënkupton sidoqoftë fundin e përpjekjeve për të vënë në brazdë një reformë të nisur me aq mundim. Siç e ka pohuar edhe vet diplomati amerikan i karrierës, DASH do të vazhdojë ta ngrejë zërin në mbështetje të sundimit të ligjit dhe zbatimit rrënjësor të reformës së gjyqësorit.
Lu u betua si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri më 17 dhjetor të vitit 2014. Detyrat e tij të mëparshme përfshinin zëvendësshefin e misionit në Indi, Azerbajxhan, si dhe vendi ku po rikthehet tanimë me tjetër pozicion, Kirgistan.
Zyrtari i Shërbimit të Jashtëm me 25 vite eksperiencë pune në shërbim të qeverisë amerikane, edhe në prag të largimit bëri nga emisioni satirik i Top Channel “Portokalli” një premtim, që ndonëse i çliruar nga kornizat zyrtare, tingëllon i fortë edhe në veshët e atyre që s’duan të dëgjojnë. Në “tregun e madh” të shoqërisë shqiptare do të vendoset drejtësi.
Foto:
Diskutime rreth kësaj post