Monika Kryemadhi është shprehur sot se Vettingu i politikanëve do të bëhet nga institucionet e Drejtësisë, që nuk janë kapur nga krimi i organizuar. Në një intervistë gjatë edicionit të lajmeve në V+, Kryemadhi u shpreh se Vettingu i politikës do të prekë edhe familjarët e tyre.
“Ajo që sipas meje është më e rëndësishme është që dhe vetë media dhe gazetarët duhet të fokusohen në dëshirën e qeverisë për ta bërë apo jo Vettingun. “, tha ajo.
Znj. Kryemadhi, dy pyetje mbeten ende pa përgjigje lidhur me nismën e opozitës. A do të prekë Vettingu i politikës të afërmit, familjarët e politikanëve, ashtu sikur ju si opozitë e keni konceptuar këtë nismë?
Absolutisht që Vetingu ndaj politikanëve është një nga gjërat më të rëndësishme, sepse sot ne futëm gjithë Policinë e Shtetit në Veting, futëm gjithë Prokurorinë, Gjykatat, hetuam deri edhe etiketat e bluzave, por mendojmë që edhe politikanët duhet të futen në procesin e Vettingut. E kemi thënë me kohë që, në radhë të parë, duhet të vettohet klasa politike, sepse njerëzit janë mjaft të zhgënjyer nga klasa politike dhe ajo çka e bën akoma dhe më interesante, problemi qëndron tek fakti që qeveria duhet të thotë që është apo nuk është për Vettingun e politikanëve.
Pyetja që ngrihet është a do të përfshihen familjarët?
“Patjetër që do të përfshihen familjarët. Pse ju z. Sandri mendoni që ne nuk na janë hetuar familjarët? Na janë hetuar edhe fëmijët e vëllezërve. Të gjithë familjarët tanë që kemi rreth e qark, edhe të gjithë komshinjtë, madje edhe ata që janë matanë rrugës së lagjeve tona. Përveç kësaj, jo vetëm që janë hetuar familjarë, por janë hetuar edhe ata që na kanë vdekur, duke i hetuar se ç’kanë bërë para 10 apo 20 viteve. Ajo që sipas meje është më e rëndësishme është që dhe vetë media dhe gazetarët duhet të fokusohen në dëshirën e qeverisë për ta bërë apo jo Vettingun. Sepse unë mendoj që gjëja më e rëndësishme e jona është që njerëzit të kuptojnë që, ai që bërtet më shumë: ‘Kapeni ujkun. Kapeni Ujkun!”, është çakalli që e shqeu tufën e deleve.”
Pyetja që kam për ju: Do të ishit kundër që Vettingun, pra kontrollin tuaj, të klasës politike, ta bënte një trup ndërkombëtar për shembull? Është e mundur?
Për çfarë jemi? Për protektorat apo vend i pavarur sovran? Sepse na kanë ardhur këta ndërkombëtarët , na janë bërë si me i pas nënë dhe babë, sikur ne të gjithë kemi lindur nëpër shtëpitë e fëmijëve. Ajo çka është më qesharake, ky komunitet ndërkombëtar, i cili ka vënë po themi propozime të tjera, grupet e Vettingut që janë të krijuara me votën e PS, sot i ke ata që nuk po pranojnë. Ne po kalojmë gjyqtarë, të cilët nuk arrijnë të sqarojnë apo të deklarojnë që janë me qindra milionë lekë të padeklaruara, me apartamente etj etj, dhe po heqin gjyqtarë apo prokurorë, të cilët mund të kenë pasur nën hetim po themi familjarë të z. Rama apo njerëz që janë të lidhur me grupin e z. Rama, të cilët po u heqin të drejtën e ushtrimit të profesionit, për shkak sepse nuk kanë deklaruar një fjalë të viteve ’85, të cilën e ka shitur në varrezë për pjesë këmbimi”.
Diskutime rreth kësaj post