Qeveria shqiptare duket se ka gjetur “kurën” për të frenuar plakjen në vend.
Ashtu si shumë shtete të tjera, qeveria shqiptare po mendon për një paketë të mirëfilltë ndihme për çiftet e reja me qëllim që të kthejë në kah të kundërt uljen demografike.
Lajmi është dhënë nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, teksa ka folur për aktin normativ në seancën parlamentare, i cili sjell ndryshime në buxhetin e vitit 2018.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në tremujorin e dytë të vitit, numri i lindjeve pësoi rënie drastike me 25%, shkruan Scan.
Ndërkaq, rritja e pagës reale është një tjetër sfidë e qeverisë në vitet në vijim, Ministri Ahmetaj theksoi se papunësia dhe pagat e ulëta vijojnë të jenë një problematikë e vazhdueshme.
Sipas tij, në këtë drejtim qeveria do të nisë një reformë të thellë ku të gjithë punëkërkuesit e papunë dhe ata që marrin ndihmë ekonomike, do ti nënshtrohen rikualifikimit.
Ministri i Financave foli edhe për pritshmëritë për rritjen ekonomike, investimet e huaja si dhe paketën e solidaritetit prej rreth 3 miliardë lekësh e cila siguron shpërblimin e fundvitit për pensionistët në vlerën e 5 mijë lekëve.
Diskutime rreth kësaj post