Kreu i PD-së Lulzim Basha ka folur në lidhje me zgjedhjet e ardhshme vendore, të cilat janë dhe mbeten sfida e madhe kryesore, fill pas humbjes së rëndë të qershorit të kaluar në zgjedhjet e përgjithshme.
I ftuar në emisionin Fakt në syri.net, Bashës ju adresuan disa emra kandidatësh të mundshëm nga gazetari Peka, i cili u shpreh se emra si Dashamir Shehi, Jorida Tabaku apo Klajda Gjosha e LSI-së janë përfolur si kandidatët e mundshëm që do të dalin si rivalë kundër Erion Veliajt.
Basha është shprehur nga ana e tij se është akoma herët për të folur për një emër konkret, por ka deklaruar se PD do të nisë shumë shpejt një fushatë të konsultimit me bazën në lidhje me emrat.
Pjesë nga Intervista:
LSI e ka bërë të qartë se do të jetë në koalicion zgjedhor me Partinë Demokratike, në mos gaboj edhe nga PD kam lexuar të njëjtin qëndrim. Në media po qarkullojnë disa emra. Dashamir Shehi nuk e ka përgënjeshtruar, nuk e ka refuzuar kandidaturën, por ka thënë është herët ose me kismet… Ka qarkulluar emri i Jorida Tabakut, i Klajda Gjoshës. A ka Lulzim Basha të kristalizuar në kokën e tij një emër për Tiranën?
Është totalisht e parakohshme, mendoj aspak e vlefshme në këtë moment të hedhim në media emra ndërkohë që kemi shpallur një proces. Dhe që procesi të jetë serioz duhet që qytetarët, anëtarët e PD, faktorët e tjerë, të dëgjohen para se të merren vendimet të cilat do të respektojnë dhe do të përfaqësojnë konsensusin dhe unitetin rreth emrave në çdo bashki, natyrisht edhe për anëtarët e këshillave bashkiakë. Por, siç ju thashë në këtë aspekt, jemi realisht të parakohshëm. Procesi do të nisë dhe një gjë ju garantoj, që të paktën në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, Partia Demokratike do të jetë gati shumë më herët seç ka qenë në ndonjë palë zgjedhje të tjera në historinë e saj./Gazeta Express
Diskutime rreth kësaj post