Rusia ka pozicionuar disa shumë anije luftarake në Detin Mesdhe, në atë që mediat ruse e kanë cilësuar si prezencën më e madhe në këtë pjesë, prej kur Rusia ka ndërhyrë në luftën civile siriane më 2015.
Këto përforcime kanë ardhur pasi aleati i Rusisë, presidenti sirian, Bashar al-Assad besohet se është duke përgatitur një sulm në provincën veriore, Idlib, e cila njëherësh është enklava e fundit e zotëruar nga rebelët.
Drejtori humanitar i Kombeve të Bashkuara, John Ging ka paralajmëruar më 28 gusht se një ofensivë qeveritare e përmasave të mëdha, “ka kapacitet që të krijojë urgjencë humanitare të shkallës së paparë deri më tash”, sa i përket konfliktit shtatëvjeçar në Siri.
Ky hap vjen edhe në kohën kur Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kanë përsëritur në një takim të Këshillit të Sigurimit një ditë më parë që Siria, ushtria e së cilës është mbështetur nga forca ajrore ruse, të mos përdorë ndonjë armë kimike në sulmin në Idlib, duke thënë se një veprim i tillë do të rezultojë me hakmarrje Perëndimore.
Rusia ka cituar paralajmërimin e fuqive Perëndimore në ditët e fundit për të akuzuar Shtetet e Bashkuara për krijim të forcave të saj në Lindje të Mesme, rreth ndonjë sulmi të mundshëm kundër forcave qeveritare siriane, ndonëse ky pretendim është mohuar nga Pentagoni.
Akuzat ruse kanë ardhur pavarësisht se mediat janë duke raportuar për bazën detare ruse në Mesdhe.
Agjencia e lajmeve, Reuters ka raportuar më 25 gusht, se në disa pamje dhe fotografi është parë admirali rus, Grigorovich dhe admiral Essen duke lundruar përmes ngushticës së Bosforit në Stamboll drejt Mesdheut.
Gazeta pro-Kremlinit, Izvestia, ka thënë se Rusia është duke u përgatitur për prezencën më të madhe detare në Mesdhe, prej ndërhyrjes në Siri më 2015, duke kthyer situatën në favor të Assadit.
Konflikti shtatëvjeçar në Siri ka lënë të vdekur më shumë se 400,000 persona dhe ka detyruar miliona tjerë të shpërngulen nga shtëpitë e tyre.
Forca detare ruse në Mesdhe tani përfshin 10 anije, shumica e të cilave të armatosura me raketa me rreze të gjatë veprimi, ka raportuar Izvestia, duke thënë se edhe disa të tilla janë në rrugë e sipër.
Në Kombet e Bashkuara, drejtori humanitar, John Ging u ka bërë thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të “bëjnë gjithçka që munden për të siguruar mënjanimin” e krizës humanitare në Idlib, provincë siriane në kufi me Turqinë, e cila është e populluar nga rreth 3 milionë banorë, duke përfshirë shumicën e rebelëve sunitë dhe familjet e tyre.
Mediat ruse kanë cituar ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu të ketë thënë më 28 gusht, se ushtria ruse është duke tentuar të negociojë atë që e ka cilësuar “marrëveshje paqësore” me grupet rebele në Idlib, sikurse paktin e arritur me grupet rebele këtë vit në Gutan Lindore, përmes së cilës rebelëve do t’iu ofrohej siguria në këmbim të dorëzimit të armëve.
Ndërkohë, në takimin e OKB-së, Rusia ka akuzuar sërish Komitetin për Çlirimin e Levantit, të lidhur me Al-Kaidën për të përgatitje të kryerjes së sulmeve kimike në Idlib, për të cilat Moska ka thënë se do të përdoren nga Perëndimi si arsyetim për të sulmuar forcat siriane.
Rusia po ashtu ka pretenduar se forcat speciale britanike janë duke u ndihmuar rebelëve, duke përfshirë furnizimin me gaz klori, deklaratë e kundërshtuar ashpër nga ambasadorja britanike në OKB, Karen Pierce.
Duke i cilësuar këto pretendime si “lajme të rreme” ajo ka përsëritur deklaratën e shtetit të saj, Francës dhe Shteteve të Bashkuara se në rast të përdorimit të këtyre armëve, shtetet në fjalë do të përgjigjen në mënyrë adekuate.
Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya ka thënë se forcat e armatosura siriane nuk kanë armë kimike dhe se nuk ka nevojë ushtarake për to.
“Faleminderit për këtë paralajmërim të përgjigjes suaj”, ka thënë Nebenzya.
“Ne po ashtu duam t’iu paralajmërojnë se jemi të vetëdijshëm për planet tuaja të neveritshme. Ne ju porosisim fuqishëm që t’i frenoni ato. Realizimi i planeve të tilla do të përballet me sulm kundër ndonjë rezultati paqësor në Siri”.
Ambasadorja britanike, Pierce në anën tjetër ka thënë se Rusia është duke bllokuar përpjekjet për krijimin e një konsensusi, në mënyrë që të ketë plan veprimi të OKB-së, për të parandaluar katastrofën humanitare në Idlib.
Diskutime rreth kësaj post