Mungesa e disa viteve punë në sigurimet shoqërore, bën që të mos përfitoni pension të plotë pleqërie
Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije se mund të paguhen vitet e kaluara të punës për të marrë jo vetëm pension të plotë, por edhe më të lartë.
Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për periudhat e kaluara?
Çdo person që kam bushur moshën 18 vjeç dhe që nuk i ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar.
Shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, pasi periudha e studimeve pasuniversitare është me pagesë.
Shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojne ato nëpërmjet sigurimit vullnetar.
Personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare mund të bëjnë sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994 deri në datën që kanë lënë shtetësinë.
Sa është masa e kontributit për sigurim vullnetar për periudhat e kaluara?
Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, masë e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve). Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 5 184 lekë për një muaj sigurim vullnetar. Kjo kuotë i korrespondon pagës minimale mujore: 24 000 x 21.6%. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje. Përfitimet nga sigurimi vullnetar për periudhat e kaluara: – Vjetërsi pune, e cila influencon në plotësimin e kushteve për të përfituar një pension; – Pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar, në nivel minimal.
Sigurimi vullnetar për vitin korent
Sigurim vullnetar për vitin korent mund të paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që:
– Kanë mbushur moshën 18 vjeç, deri në arritjen e moshës për pension;
– Nuk mund të sigurohen në sistemin e sigurimit të detyrueshëm;
– Nuk mund të sigurohen në sistemin e të vetëpunësuarve në bujqësi;
– Nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar.
Sa është masa e kontributit për sigurim vullnetar për vitin korent?
Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës për efekt kontributesh të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa. Pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 5 184 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 24 000 lekë x 21.6%.
Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje: – 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit Janar); – 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar); – 1.5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar). 3. Por pagesat e vitit korent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore, 5 184 lekë, deri në kufijtë e pagës maksimale.
Të vetpunësuarit në bujqësi
Sigurimi si i/e vetëpunësuar në bujqësi është i detyrueshëm. I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat fushore, duke filluar nga data 01.08.2015 e në vazhdim, paguan kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 38 400 lekësh. I e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat malore, nga data 01.08.2015 e në vazhdim, paguan kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 29 400 lekësh. Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhen bashkarisht. Ato janë të detyrueshme dhe paguhen individualisht një herë në tre muaj.
Afati i fundit i këtyre pagesave është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik. Të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për vitin në vazhdim, pavarësisht nëse janë të pasiguruar për vitet pararendëse.
Periudhat, për të cilat nuk janë paguar kontributet, nuk njihen si periudha sigurimi.
Të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët nuk arrijnë të plotësojnë kushtin minimal të vjetërsisë në punë, për të përfituar pension të pjesshëm, sipas dispozitave të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, mund të kryejnë pagesa kontributesh pas plotësimit të moshës për pension, por me kusht që ato t’u korrespondojnë periudhave para plotësimit të moshës për pension dhe të mos jetë caktuar ende asnjë lloj pensioni dhe për këto periudha do të paguhet sipas masës së kontributit, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për vitin kur kryhet pagesa.
Të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët nuk i kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për periudhat e kaluara, por që i kanë pasur kushtet për t’u siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi, pavarësisht nga vendbanimi aktual, mund t’i paguajnë kontributet për këto periudha sipas masës së kontributit, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për vitin kur kryhet pagesa.
Dokumentacioni për të vetëpunësuarit në bujqësi
I vetëpunësuari në bujqësi paraqet tek inspektori përkatës i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi këto dokumenta:
– Vërtetimin e pronësisë mbi tokën, lëshuar nga zyra e rregjistrimit të pasurisë së paluajtshme, pranë organeve të pushtetit vendor, dhe / ose Vërtetimin mbi tokën e marrë në përdorim, lëshuar nga strukturat përkatëse, pranë organeve të pushtetit vendor, dhe / ose Kontratën e qiramarrjes së tokës bujqësore, të noterizuar;
– Në çdo rast, për sigurim të periudhave për vitin korent si dhe për periudha të kaluara, do të paraqitet vërtetimi i lëshuar nga komuna, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari, bujqësore/blegtorale. Inspektori i të vetëpunësuarve në bujqësi, pasi gjykon për plotësimin e kushteve për sigurim si i/e vetëpunësuar në bujqësi plotëson dokumentin tip “Urdhër veprim” dhe ia jep fermerit;
Për të bërë pagesën paraqitet ky dokument në zyrën postare ose në zyrën bankare. Me kryerjen e pagesës zyra postare lëshon dokumentin “Mandat arkëtimi”, ndërsa me kryerjen e pagesës në zyrën bankare lëshohet dokumenti “Veprim arke”, i cili konfirmon kryerjen e kësaj pagese; 4.
Me dokumentin “Mandat arkëtimi” ose “Veprim arke” fermeri paraqitet për regjistrim tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi, ku ka marrë “Urdhër veprimin”; Këto dokumenta në asnjë rast nuk duhet t’i dorëzohen punonjësve të sigurimeve shoqërore. Ato janë personale;
Në fund të procedurës dhe pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore bëhet pajisja e detyrueshme me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; Me kërkesën e të vetëpunësuarit në bujqësi ai pajiset nga organet e sigurimeve shoqërore edhe me vërtetimin tip “Për pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”.
Sigurimi vullnetar
Kush mund të sigurohet në skemën e sigurimit vullnetar?
Të gjithë shtetasit shqiptarë që:
Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar. Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm. Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre. Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.
Çfarë përfitohet nga skema e sigurimit vullnetar?
1. Personi që ka paguar kontribut për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, është përfitues, sipas rastit, i: – Pensionit të plotë të pleqërisë; – Pensionit të reduktuar të pleqërisë; – Pensionit të invaliditetit; – Pensionit të pjesshëm të invaliditetit.
2. Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar. – Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe ka të njëjtin rregull me kontributin e detyrueshëm.
3. Në sigurimin vullnetar, pasi janë plotësuar kushtet e Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bën pjesë edhe pensioni familjar.
Diskutime rreth kësaj post