Edmond Bego nuk do t’a kishte menduar se pas plazhit në Korfuz, udhëtimi i tij do të përfundonte me prangat në duar nga policia greke në Igumenicë.
Ai u arrestua për llogari të shtetit italian, ndërkohë që sipas Gjykatës së Lartë në Shqipëri, Bego e ka shlyer dënimin dhe madje është një qytetar i lirë, i cili mund të bëjë edhe biznes.
Bego njihet si njeriu i Aldo Bares dhe kjo lidhje e tij si edhe përgjimet e bëra nga italianët gjatë fillimit të viteve 2 000 bëri që ata të kapnin disa ngarkesa me drogë të nisura nga Karavastaja.
Pas kësaj u dha edhe dënimi për Begon me 21 vjet burg, por disa vite më pas gjykatat shqiptare ia konvertuan atë në 4 vjet e gjashtë muaj.
Sipas policisë greke në momentin e ndalimit, 48 vjecari kishte një pasaportë me emrin e ndryshuar në Mond Bega dhe me anë të këtij dokumenti kishte kaluar nga Shqipëria për në Korfuz.
Për të njëjtën cështje që policia greke arrestoi biznesmenin, ai është arrestuar edhe vite më parë në Shqipëri, asokohe nën emrin Manoli Bega.
Ishte 24 dhjetori i 2009 kur drejtoria kundër krimit të organizuar në Tiranë e arrestoi në kryeqytet.
Në njoftimin e policisë 9 vite më parë nënvizohej fakti se i arrestuari Manoli Bega, lindur në Lushnje dhe banues në Tiranë njihej dhe me disa emra të tjerë si: Edmond Bego, Saimir Sina dhe Belul Gjahtari.
Gjithashtu në njoftimin e policisë së dhjetorit 2009 thuhej se i arrestuari ishte i përfshirë në një organizatë kriminale ku bënin pjesë edhe Aldo Bare, Enver Dondollaku, ndërsa ai ka qenë përcaktues në mbajtjen e lidhjeve me furnizuesit, koordinimin e aktivitetetit dhe pjesëtarëve të tjerë të organizatës, si dhe organizator për shpërndarjen dhe administrimin e parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Sipas vendimit të gjykatës Italiane Bego ishte dënuar në Torino në vitin 2008 me 13 vite burg për akuza të rënda. Por edhe pse në Itali ishte dënuar me 13 vite burg, bazuar në vendimin e Gjykatës së Lartë në Tiranë në 2010, Bego u lirua për më pak se 3 vite burgim.
Arrestimi i tij bëri që në Tiranë të shpërthenin akuzat për lidhje të qeverisë me elementë kriminalë.
Diskutime rreth kësaj post