Mure të shembura dhe dera e rrëzuar në tokë, materiale të nxira, banorë të trembur nga shpërthimi, prindër në panik për fëmijët dhe zjarrfikës që sapo kanë shuar flakët me emergjencë. Kjo ishte situata në çerdhen tek Ali Demi, në Tiranë këtë mëngjes. Janë pasojat shpërthimit që u shkaktua nga rrjedhja e bombulës së gazit. Në kontakt me shkëndijat, gazi që kishte mbushur dhomën ka marrë flakë, duke shpërthyer me një presion aq të fortë sa ka hedhur tej derën dhe ka rrëzuar muret e çerdhes.
Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Bombulat e gazit mbaheshin në një cep të godinës së çerdhes, një dhomë shtesë.
Por ngjarja është alarmante. Askush nuk do ta çojë nëpër mend se çfarë pasojash mund të kishte pasur, nëse shpërthimi do të kishte qenë më i madh. Nga autoritetet pritej që të reagonin me përgjegjshmëri. Duhej të pranonin përgjegjësinë, të gjenin shkaqet dhe të penalizonin përgjegjësit, që një ndodhi e tillë të mos përsëritet si tragjedi nesër.
Por as policia, as zjarrfikësit dhe as drejtoresha e kopshtit nuk duket se kanë këtë shqetësim. Sepse të gjithë nxituan ta fshehin ngjarjen, sipas një marrëveshjeje dhe koordinimi kriminal për papërgjegjshmërinë që tregon.
Nuk bëri asnjë njoftim në media. Ishin vetë prindërit e fëmijëve të çerdhes dhe banorët e zonës që lajmëruan gazetarët. Nëse nuk do ta kishin bërë, ngjarja do të kishte kaluar në heshtje. Vetëm kur u raportua në media, u kuptua se kishim të bënim me një shqetësim serioz dhe pas kësaj, policia shpërndau një njoftim të shkurtër.
“Më datë 16.08.2018, rreth orës 04:57, në rrugën “Aldi Demi”, në një dhomë e cila shërbente si magazinë për një çerdhe ka patur rënie zjarri.
Zjarri është fikur dhe ka patur vetëm dëme të vogla materiale. Paraprakisht zjarri dyshohet të ketë rënë si pasojë e rrjedhjes së gazit nga një bombël gatimi”
Nga fjalët që u tha gazetarëve, u kuptua se shefi i parandalimit të zjarreve, Arjan Ahmetaj ishte pjesë e skemës për ta fshehur ngjarjen. Përsëritja automatikisht e porosive e nxorri qesharak, sepse duke u përpjekur ta minimizojë ngjarjen, ai tha se ka pasur “eksplozion”, por nuk ka pasur “shpërthim”.
“Eksplozioni i gazit që ka qenë në brendësi të saj ka bërë pak shkëputjen e murit nga ndërtesa qëndrore në krahun e majtë të saj. Kështu që nuk ka ndonjë problem” tha ai fillimisht për gazetarët.
Pak sekonda më vonë, duek shpjeguar se pse ishte shembur muri në atë formë, ai u shpreh:
“Shkëputja është si pasojë sepse ngopja e brendshme me gaz, nuk ka shpërthim të bombolës së gazit, është dukuri që mbushja me gaz, në momentin që ajo bie në kontakt me zjarrin bën shkëputjen e mureve ndarëse. Pra nuk ka pasur shpërthim të bombolës së gazit, por sasia e ngopur e gazit që ka qenë në brendësi të atij ambienti ka bërë shkëputjen e derës dhe atij ambienti shtesë. Nuk ka shpërthim!”
Pati një guxim të çartur për të gënjyer. Mohoi dëshmitë e banorëve, mohoi pamjet e flakëve, mohoi versionin e policisë, mohoi edhe zjarrfikësit. Jo vetëm që nuk ka pasur shpërthim tha ajo, por as ka pasur zjarr fare dhe bombulat kanë qenë të kolauduara.
“Sa i përket sigurisë së elemtëve të shërbimit dhe në rastin konkret bombolave të gazit, ato janë çertifikatë sigurie, janë të kolauduara dhe nuk ka pasur shpërthim bombole dhe as flakë në godinë. Megjithatë presim përfundimin e hetimit. Çerdhja është hapur normalisht në orën 06:30, stafi ka ardhur në orën 06:30, ne kemi qenë herët në ngjarje, ka ardhur policia. Zona nuk ka perimetër sigurie, që do të thotë ngjarja nuk ka ato përmasa që flitet. Është një ngjarje që aludohet nga keqbërës në komunitet”
Siç ndodh rëndom në Shqipëri, edhe për këtë ngjarje faji do të mbetet jetim. Nuk do të ketë as përgjegjës. Në fund të fundit “çudia më e madhe tre ditë zgjat”. Këtë e dinë edhe zyrtarët që flasin në media.
Megjithëse ngjarja është e dokumentuar, shembja e mureve nga shpërthimi është e filmuar nga të gjitha televizionet, zjarrfikësit që kanë shuar flakët janë parë nga banorët e zonës që edhe kanë dëgjuar shpërthimin, përsëri ajo do të mohohet për t’u harruar.
Shpërthim nuk ka ndodhur. As flakë nuk ka pasur. As rrjedhje gazi. As jeta e fëmijëve nuk ka qenë në rrezik. Gjithçka që shihni në pamje dhe në foto është e gënjeshtërt. Sepse në çerdhet e Tiranës, ato për të cilat kujdeset vetë Erion Veliaj, nuk mund të ndodhin ngjarje të tilla të tmerrshme./Lapsi.al
Diskutime rreth kësaj post