6 nga 10 lodrat për fëmijë që janë testuar në një laborator të Holandës kanë dal se janë të rrezikshme për përdorim. Të gjitha lodrat që janë vlerësuar si të rrezikshme për përdorim janë me origjinë nga Kina. Ato gjenden në shitje nëpër dyqane të ndryshme nëpër Kosovë.
Testimi i tyre është bërë nga laboratori ‘SGS’ në Holandë, ndërsa mostrat janë dërguar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar rezultatet e analizave që u janë bërë disa lodrave si: kukulla, vetura me bateri, set manikyri, pistoletë me topa, lodra uji, set kafshësh, lodra kimike (slime), veturë dhe aeroplan.
Nga dhjetë mostra të lodrave, gjashtë nga to kanë dal jo konform dhe të rrezikshme në testin që u është bërë në vetitë fizike dhe mekanike. Ndërsa dy nga to kanë dal të rrezikshme në testin e vetive kimike. E nëntë nga dhjetë janë pa test të etiketimit (mbishkrimeve të nevojshme), sic kërkohet me ligj.
Ministri i MTI-së, Bajram Hasani i ka konfirmuar Gazetës JnK që kanë marrë disa rezultate që tregojnë rrezikshmërinë e lojërave në përdorim.
Por, ai nuk ka dhënë detaje për masat që do të merren.
“Po, kemi marrë disa rezultate dhe po presim edhe disa tjera. Disa nga to kanë dal të rrezikshme për përdorim, por për masat që do të ndërmarrim ju njoftojmë ditët në vazhdim”, ka thënë ai.
Rreziku i dëmtimit të sistemin reproduktiv
Europa ka vendosur standarde të përmbajtjes së lodrave për fëmijë pas disa skandaleve për lodrat kancerogjene gjatë viteve të kaluara. “Rapid Alert System” (Sistemi i Sinjalizimit të Shpejtë për rrezikshmërinë e produkteve jo-ushqimore), në kuadër të Komisionit Europian, i tregon për produktet të cilat janë të rrezikshme në tregun Bashkimit Europian, në të cilin vendet alarmojnë njëra-tjetrën për produktet me rrezikshmëri në përdorim.
“Barrel O Slime”, lloj plasteline, është lodër për fëmijë, e cila është dërguar për analiza në Holandë, por laboratori ka thënë se tashmë e kanë bërë analizën e këtij produkti me kërkesë të një shteti tjetër.
Kjo lodër është e kategorizuar si lojë e rrezikshme dhe është në listën e Sistemit të Sinjalizimit të Shpejtë të Komisionit Evropian, si lodër që është ndaluar të shitet në vendet e BE-së. Por, në Kosovë e njëjta lodër mund të blihet për vetëm 1 euro nëpër dyqane të ndryshme.
Me nivelin e rrezikshmërisë së lartë, është vlerësuar përdorimi i kësaj lodre kimike, për shkak që pas analizave të testit të vetive kimike, e njëjta përmban sasi të mëdha të elementit kimik boron, e i cili mund të shkaktojë rrezik për shëndetin e fëmijëve duke dëmtuar edhe sistemin reproduktiv.
Kukulla “Happy Girl” është një tjetër lodër që nuk ka kaluar testin e vetive fizike dhe mekanike, që i bie se e njëjta ka dështuar ta kalojë testin në vetitë fizike dhe mekanike dhe testin e etiketimit (mbishkrimeve të nevojshme). Ndërsa në testin e vetive kimike është thënë se testi është jo bindës dhe se rekomandohet një test shtesë i konfirmimit.
Testin e vetive fizike dhe mekanike, i cili përcakton se lodrat dhe pjesët përbërëse të tyre duhet të kenë fortësinë e duhur mekanike, pa u thyer ose pa pësuar shtrembërime që paraqesin rreziqe të cilat mund të shkaktojnë dëmtime fizike nuk e kanë kaluar edhe disa lodra të tjera: një kukull, revole, lodra uji, set kafshësh, të gjitha me origjinë nga Kina.
Ndërsa testin e etiketimit që duhet ta ketë secila lodër, ku përshkruhet për cilën moshë përdoret dhe përbërësit e saj, nuk e kanë pasur nëntë (nga dhjetë) lodrat, por kjo veti është mangësi që mund të eliminohet.
Lista e Lodrave të rrezikshme
Lodra të rrezikshme për përdorim, të cilat nuk kanë kaluar testin e konformitetit në katër vetitë e larcekura, dhe janë klasifikuar si të rrezikshme, janë: revole (e cila nuk ka brend), por dihet origjina nga Kina; lodër kimile (Slime) e brendit “Barrel O Slime”; lodra uji të brendit “Bath Tub”; set kafshës të brendit “Animal Toys”, kukull e brendit “Happy Girl”; kafshë lodër e brendit “Poultry” dhe lodër, veturë e aeroplan të “Fly Line”.
Katër komponentët e testimit të lodrave
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë vitin e kaluar e ka nxjerrë rregullore për sigurinë e lodrave.
Kjo rregullore përcakton edhe kërkesat e veçanta të sigurisë ku hyjnë: vetitë kimike, vetitë fizike dhe mekanike, testi i djegshmërisë dhe testi i etiketimit (mbishkrimet e nevojshme). Rrjedhimisht, këtu përcaktohet edhe procedura e vlerësimit të konformitetit për lodrat.
Tek komponenta ‘vetitë kimike’ thuhet se lodrat duhet të jenë të projektuara dhe të prodhuara në mënyrë që të mos paraqesin rrezik të efekteve të dëmshme ndaj shëndetit të njeriut për shkak të ekspozimit ndaj substancave apo përzierjeve kimike nga të cilat lodrat janë të përbëra.
“Lodrat nuk duhet të përmbajnë aromat e mëposhtme alergjike”, ku janë të listuara 55 aroma, e të cilat përcaktohen në rregulloren për sigurinë e lodrave.
Tek komponenti ‘vetitë fizike dhe mekanike’, thuhet se lodrat dhe pjesët përbërëse të tyre duhet të kenë fortësinë e duhur mekanike dhe nëse është e nevojshme qëndrueshmërinë për të i bërë ballë presionin të cilit i nënshtrohen gjatë përdorimit, pa u thyer ose pa pësuar shtrembërime që paraqesin rreziqe të cilat mund të shkaktojnë dëmtime fizike.
“Lodrat dhe pjesëtpërbërëse të tyre nuk duhet të paraqesin rrezik nga ngufatja”, thuhet ndër tjera.
Një tjetër komponentë është testi i djegshmërisë (ndershmëria), ku thuhet se lodrat nuk duhet të përbëjnë një element të rrezikshëm ndezës në ambientin e fëmijës.
“… nuk ndizen nëse i ekspozohen direkt një flake, shkëndije apo burimi tjetër të mundshëm të zjarrit”, thuhet ndër tjera në rregullore.
Po ashtu, është testuar edhe komponenti e etiketimit (përshkrimeve të nevojshme) për një lodër, ku duhet të tregohen specifika siç është vënja e etiketës se për çfarë moshe është ajo lodër dhe çfarë përmban ai produkt.
Diskutime rreth kësaj post