Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i duan njerëzit dhe pushtetarët e korruptuar e të përfshirë në afera dhe një gjë të tillë po e faktojnë çdo ditë e më shumë. Disa herë është raportuar sesi gjyqtarë, prokurorë, por edhe deputetë janë shpallur “non grata” nga Uashingtoni.
Ndërkohë, sipas burimeve të gazetës “Sot”, listës pritet t’i bashkohen edhe emra kryebashkiakësh të cilët janë ose kanë pasur më parë këtë post, si edhe disa ish-kryetarë komunash. Interesant është fakti se të gjithë këta emra që rrezikojnë të jenë të padëshiruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kallëzuar penalisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Ky i fundit është institucioni që vazhdimisht kryen audite në institucionet shtetërore dhe bashkitë e vendit për të konstatuar shkeljet dhe dëmet e krijuara nga shkeljet. Duhet theksuar fakti se gjithmonë, në raportet e KLSH si shqetësim shihej qeverisja vendore, ku kishte shumë abuzime me tenderat nga kryebashkiakët dhe kryetarët e komunave.
Vetëm pak kohë më parë Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaroi se kishte konstatuar shkelje në 94% të tenderave të kryera nga 42 njësi vendore. Për shkeljet e konstatuara, KLSH kryen gjithmonë edhe kallëzime penale për emrat që janë përfshirë në afera dhe këtyre kallëzimeve nuk iu kanë shpëtuar as vetë kryebashkiakët. Sipas informacioneve, pikërisht këta kryebashkiakë, ish-kryebashkiakë, kryetarë dhe ish-kryetarë komune që kanë dosje në prokurori për shkak të KLSH dhe që kanë shprehur edhe interes për të përfituar vizë në SHBA, rrezikojnë të refuzohen.
Kjo tregon se këta emra, ashtu si çdo emër tjetër i korruptuar dhe i implikuar në afera, janë të futur në listën e zezë të Uashingtonit. Por teksa kryebashkiakëve dhe kryetarëve të komunave u janë prerë shpresat nga SHBA, mundet që një valë e tillë shpalljesh “non grata” të përfshijë edhe emra të tjerë politikanësh. Përveç kryebashkiakëve nën hetim janë dhe disa ish-ministra, një pjesë të kallëzuar nga KLSH. Edhe ata nëse aplikojnë për vizë, me shumë gjasë mund të refuzohen. Burimet i thanë gazetë se ambasada ka vendosur të s’kualifikojë këdo që është në hetim. Kjo do të thotë se dhe politikanë në nivele të larta janë të rrezikuar, pasi ka emra të njohur me dosje në prokurori, sidomos ish-ministra.
Diskutime rreth kësaj post