Partia Demokratike, përmes Gazment Bardhit, këshilltar ligjor i PD akuzon kryeministrin Rama se nuk heq dorë nga propozimi për emërimin e kunatit të Fatmir Xhafajt si gjyqtari që përfaqëson Shqipërinë në Gjykatën e Strasburgut.
Bardhi thekson se ky propozim është refuzuar për të pestën herë për shkak se procesi i përzgjedhjes së kandidaturave ka qenë jo transparent dhe nuk ka garantuar profesionalizimin dhe meritokracinë në përzgjedhje.
“Qeveria shqiptare ka krijuar një situatë të paprecedentë në marrëdhënien e shtetit shqiptar me Këshillin e Evropës dhe Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke bllokuar prej 2 vitesh emërimin e gjyqtarit që përfaqëson Shqipërinë në Gjykatën e Strasburgut.
Bllokimi nga Edi Rama i emërimit të gjyqtarit në Gjykatën e Strasburgut po bëhet për të njëjtën arsye që ka bllokuar edhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
Për Edi Ramën nuk mund të ketë drejtësi, nëse ajo nuk kontrollohet plotësisht prej tij nëpërmjet veglave të veta në sistemin e drejtësisë. Bllokimi është alternativa që ofron Edi Rama derisa të ketë siguruar kapjen e drejtësisë.
Shqiptarët kanë të drejtë të dinë se bllokimi i emërimit të gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut prej 2 vitesh bëhet për shkak se Edi Rama nuk heq dorë nga propozimi si kandidat i kunatit të Fatmir Xhafajt, ish anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Sokol Berberi apo përfaqësuesve të Fondacionit Soros, së fundmi të Darien Pavlit.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka refuzuar 4 herë kandidaturat e propozuara nga Shqipëria dhe zyrtarisht 2 herë ka informuar Qeverinë Shqiptare se procesi i përzgjedhjes së kandidaturave ka qenë jo transparent dhe nuk ka garantuar profesionalizimin dhe meritokracinë në përzgjedhje.
Pavarësisht refuzimit disa herë nga Këshilli i Evropës të standardit të përzgjedhjes politike dhe korruptive të kandidatëve për gjyqtarë, Edi Rama nuk heq dorë.
Për të pestën herë propozon si kandidat për gjyqtar në Strasburg kunatin e Fatmir Xhafës, Sokol Berberin, që është refuzuar me votë disa herë nga Këshilli i Europës dhe i është shmangur vettingut.
Edi Rama po shpërblen edhe Fondacionin SOROS për ndihmën e vyer që i dha për projektin e kapjes politike të sistemit të drejtësisë.
Kandidati tjetër alternativ që propozon Qeveria Shqiptare për gjyqtar në Strasburg është Darien Pavli. Si drejtues i SOROS, ka qenë Koordinator i Sekretariatit Teknik që ndihmoi Edi Ramën dhe Fatmir Xhafën të hartonte paketën ligjore të kapjes së drejtësisë.
Nëpërmjet dërgimit në Gjykatën e Strasburgut të personave të besuar dhe të kontrolluar prej tij, Edi Rama kërkon t’i përdorë ata si kamikazë në vendimmarrje të rëndësishme kundër interesave të qytetarëve shqiptarë, siç janë çështjet për respektimin e të drejtave themelore të njeriut në përgjithësi dhe të drejtës së pronës në veçanti.
Partia Demokratike i konsideron kandidaturat e propozuara nga Qeveria për në Gjykatën e Strasburgut si kandidatura tërësisht nën kontrollin e Edi Ramës dhe të përzgjedhura në një proces të korruptuar politikisht.
Për Partinë Demokratike kjo nuk është drejtësia e pavarur që po kërkojnë qytetarët shqiptarë, një drejtësi që të mbrojë të drejtat e tyre dhe të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, u shpreh Bardhi. /albeu.com/
Diskutime rreth kësaj post