Është vetëm 24 vjeç dhe u rendit i pari mes 100 kadetëve më të mirë në Royal Air Force College, në Britaninë e Madhe.
Bëhet fjalë për Rudens Kagjinin, djalin nga Tirana, i cili mban me krenari flamurin shqiptar mbi supe. Çdo gjë ka ndodhur pothuajse rastësisht, pasi profili i tij akademik nuk kishte lidhje me sektorin e mbrojtjes. Pasioni i Rudensit është elektronika (fushë për të cilën është edhe diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës), teknologjia si dhe komunikimi ajror.
Objektivat dhe synimet janë të shumta, por Rudensi e ka arritur një objektiv kryesor mbase edhe në mënyrë të pavetëdijshme: “Të jetë shembull suksesi dhe inspirim për të rinjtë.”
Rrugëtimi i tij është sinonim i vështirësisë. Kalimi nga punonjës i OSHEE në regjimin e hekurt disiplinor ushtarak ishte sfida e parë e vërtetë, sfidë të cilën djaloshi shqiptar e kaloi me sukses dhe e superoi.
Intervista e plotë:
Të kthehemi në krye të herës te fillimet e tua. Si filloi gjithçka?
Në atë kohë punoja diku tjetër (OSHEE), ku nuk kisha asnjë lidhje me sektorin e mbrojtjes. Gati rastësisht lexova njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, sipas së cilës ofrohej një bursë për në Royal Air Force College Cranwell,në Mbretërinë e Bashkuar. Kalova me sukses fazën e parë të testimit që kishte një sërë kërkesash që nga shkollimi adekuat, testimi fizik, ai intelektual dhe psikologjik si dhe niveli i anglishtes së mbrojtur. Pas kësaj si fazë e dytë jam intervistuar nga atasheu britanik ne Shqiperi. Më pas ka qenë British Embassy Tirana qe më ka kontaktuar dhe treguar se jam perzgjedhur. Natyrisht që ky ishte një shans qe nuk duhej humbur pasi RAF ështe Forca Ajrore më e vjetër në botë dhe me një background shumë të fortë. Të diplomohesh ne RAF College Cranwell duhet të kalosh shumë faza ku veç testimit të aftësive fizike dhe akademike, vlerësohen dhe vlerat njerëzore.
Ishte një mundësi që duhej kapur, një mundësi që lidhej me ndonjë pasion tëndin të hershëm apo thjesht një mundësi e mirë për t’u ngjitur në karrierë?
Pasioni im është elektronika/teknologjia dhe sidomos komunikimi ajror gjë që më së miri mund ta aplikoj tani. Gjithashtu është edhe mundësi shumë e mirë katapultimi në karrierë si dhe eksperiencë jetësore e veçantë. Më së shumti kjo e fundit më bindi.
Ju është ofruar akoma ndonjë kontratë pune nga Forcat Mbretërore? Apo është ende herët të flasim për këtë?
Kontrata është e tillë që të kryej trajnimin dhe të kthehem në Shqipëri,,kështu që nuk pres oferta të tilla.
Mbaj flamurin shqiptar në krahë dhe përfaqësoj Shqipërinë.
Natyrisht që nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë.
Keni hasur vështirësi gjatë këtij rrugëtimi?
Po ja nis me inspektimet e zakonshme ku dhoma, individi dhe uniforma duhet të jenë në standartet më të larta të mundshme. Fillimisht kujtoj netët me tri orë gjumë për të bërë gati dhomën sipas ‘inspection standart’. Pastaj testimet me nga një javë jashtë, ku brenda një dite 18 orë aktivitet ku ecet 35- 40 km me armë dhe me cantë në shpinë me një peshë të konsiderueshme etj, etj. Por në fund të fundit, “Living in the field”, apo në shqip- “të jetosh në kushtet e fushës” ka vërtetë vështirësi, por nga ana tjetër është edhe emocion i veçantë.
Përsa i përket vështirësive akademike është e ditur vështirësia në një gjuhë tjetër.
Pa dashur të kaloj në pyetje klishe, por është me interes të dimë cila është motoja juaj, po objektivat e tuaj për të ardhmen?
Po ja nis nga pyetja e fundit. Ndoshta sepse objektivat dhe synimi për t’i arritur ato e bëjnë rrugëtimin tonë më interesant. Si objektiv jetësor kam atë se cfarëdo që të bëj, të jap maksimumin dhe të përjetoj eksperienca te ndryshme. Ndërsa si objektiv profesional kam të praktikoj inxhinierinë “hands-on” (sic mund ta aplikoj me pajisjet e kontrollit ajror) dhe të spikas në atë që bëj.
E sa për motot kam dy të tilla: “Pavarësisht se cfarë ndodh, objektivat duhet të mbeten të njëjta” dhe ‘Everyday is a school day’
A frikësoheni se ajo që do të gjeni në Shqipëri (politika apo edhe i gjithë realiteti shoqëror e ekonomik) do t’ju zhgënjejnë e për më keq akoma do t’jua çojnë dëm krejt mundin dhe djersën e derdhur?
Pytjet politike do i shmangja ne fakt se me të vërtetë sdua të pozicionohem politikisht në përgjigje, pasi nuk ta dërgoj këte përgatitje dëm, duke marr ngjyrime politike pavarsisht se kam bindjet e mia.
Gjithsesi unë mendoj realiteti shqiptar, vecanërisht mentaliteti parazitar, është i frikshëm në fakt, ndërsa sa për pjesën politike mendoj se ai që punon dhe e meriton, e gjen rrugën e suksesit, pavarsisht se duhet të durojë disa eprorë të pashkolluar, militantë partiakë dhe shumëçka tjetër.
Foto:
Diskutime rreth kësaj post