Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, njofton se mbi bazën e akteve të ardhura për kompetencë lëndore nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, ka regjistruar proçedimin penal në ngarkim të ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Në njoftim thuhet se në kuadër të hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë procedim penal, në bashkëpunim të ngushtë me policinë gjyqësore në Drejtorinë Hetimore Qendrore, pranë Departamentit të Policisë Kriminale të Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë, janë kryer një sërë veprimesh hetimore.
“Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, janë krijuar dyshime të arsyeshme se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla përbëjnë produkt të veprës penale.
Me vendimin nr.179, datë 20.07.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është vendosur pranimi i kërkesës së Prokurorisë, vendosja e masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e paluajtshme të mëposhtme:
Apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës;
Tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë;
Tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë;
Tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë;
Tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë”, njofton prokuroria.
Vlera e tregut e pasurive të paluajtshme të mësipërme, në total është në shumën 98.772.000 lekë.
Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë në datën 23.07.2018 ka ekzekutuar vendimin gjyqësor për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të mësipërme.
Diskutime rreth kësaj post