Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Lulzim Basha doli në një deklaratë për mediat, ku foli për ligjin e magjistraturës, duke u shprehur se mazhoranca e ka kapur këtë shkollë, e cila mund të quhet tashmë një shkollë partie sipas Bashës.
“Ligji për magjistraturën është maturuar vetëm me votat e mazhorancës, në mënyrë të tillë që pasi ta kapnin këtë shkollë, asnjë parti tjetër të mos ndërhynte. Ajo është tani një shkollë partie. Ky është një institucion i kapur totalisht nga Edi Rama. Njerëz të lidhur me PS prej një apo dy brezash. Synohet një kapje afatgjate e sistemit”, tha Basha.
Më tej, Basha u shpreh se Magjistratura nuk e zgjidh mungesën e Gjykatës Kushtetuese. “Nëse reforma në drejtësi do të funksiononte, atëherë Saimir Tahiri do të ishte në burg”, tha kreu i PD.
Basha foli më tej për kërkesat dhe qëllimet e PD mbi situatën në sistemin e drejtësisë: “Ti qëndrojmë besnik konsensusit të 21 dhe 22 qershorit 2016. Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë në organin e prokurorisë, duke i dhënë fund kapjes politike të prokurorit të Përgjithshëm. Zgjidhja e situatës së paligjshmërisë për kandidatët e KLGJ dhe KLP. Ky proces është i pavlefshëm bazuar në ligj, pasi këta anëtarë duhet të zgjidhen në bazë të kushtetutës. Zgjidhje urgjente e ngërçit në Gjykatën Kushtetuese, jemi në situatë grushti shteti. Të ngrihet një Komision Koordinimi për mbikëqyrjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë”, tha Basha, i cili u shpreh më tej se kjo është rruga për të nxjerrë sistemin e drejtësisë nga gjendja në të cilën ndodhet, raporton Tch.
Më tej, kreu i PD u shpreh se ata që e kanë sjellë vendin në këtë pikë duhet të mbajnë përgjegjësi. “Nëse nuk realizohen këto nuk ka asnjë besim në vazhdim”, tha ai. /Telegrafi/
Diskutime rreth kësaj post