Gazetarja dhe moderatorja e programit “Studio e hapur”, ishte e ftuar sot në “Këndin e ekselencës” në UET-ë, ku të rinjtë në panel, studentë të ekselencës, e pyetën për shumë aspekte të jetës se saj profesionale dhe jo vetëm…
– Kemi dëgjuar që xhaketat e para për të dalë në lajme, ia merrje mamit?
– Po është e vërtetë, sepse isha fare e vogël, 19 vjeç kur fillova të jap lajmet qendrore në TVSH. Isha me një brez profesionistësh si Tefta Radi apo Reiz Çiço, prandaj impenjohesha që të dukesha serioze dhe e rritur.
– Si i merr vendimet Eni Vasili, përfshirë këtu edhe rrugën për gazetari?
– Gazetaria qenë një vokacion, një shtysë e brendshme që nuk e di se nga më ka ardhur. Familja ime këmbëngulte për të shkuar në mjekësi, si traditë e familjes. Por unë e kisha bindje që kjo ishte rruga ime. Nuk kam patur asnjëherë dilema për këtë zgjedhje.
– Po kotrolloja në google për jetën tënde private dhe nuk gjeta asnjë informacion. Doja të dija me kë jeton?
– Jo më kot nuk ke gjetur info të kësaj natyre për mua. Nuk kam patur asnjëherë asnjë dëshirë që jetën time private ta bëj publike. Kjo sepse publikut nuk i intereson kjo pjesë. Publikut i intereson se si e bëj unë punën time dhe mendoj që kështu është më mirë. Me vullnetin tim kam qëndruar jashtë modelit ku nuk ngelet karrike e shtëpisë pa dalë në instagram, familjarë etj. Po më thoshte Niki pak më parë që nuk gjetëm foto të nipave të tu. Kjo sepse unë jam shumë skrupoloze dhe xheloze për privatësinë time.
– Pas kaq shumë vitesh në gazetari, cilat kanë qenë sfidat më të mëdha në këtë fushë, edhe për faktin se jeni femër?
– Sfida më e madhe është ruajtja e integritetit personal, pra që ti të mos deformosh unin dhe qënien tënde. Nuk është e thjeshtë siç nuk është e thjeshtë edhe për profesione të tjera. Kam simpati të veçantë madje shpesh herë ndjej dhimbje për vajzat që ia dalin, sepse e imagjinoj se çfarë sakrificash kanë bërë. Pra ta bësh profesionin tënd me një integritet personal, është një gjë shumë e rëndësishme. Të gjithë bëjmë kompromise në jetën tonë të përditshme. Është e rëndësishme që ato të mos deformojnë thelbin dhe personalitetin e njeriut. Kjo ka qenë sfida më e madhe, nuk kam bërë asnjëherë kompromise që të më kenë dhunuar unin tim.
– Ju keni bërë edhe reporteren në terren, cila ka qenë një ngjarje që ju nuk do ta harroni kurrë, edhe në studio, intervista që ju nuk do ta harroni kurrë etj?
– Kjo e fundit ska ardhur akoma më duket.(qesh) Pjesa e reporterit është diçka shumë e bukur. Është më e vështirë në terren, sepse do dalësh në kohë me shi, në vapë, nuk e di kë do takosh, si do reagojë. Shkoja në punë me tank në vitin 1997, ndiqja gomonet shqiptare në anijen e Gurda di Finanzia. Anija e Guardia di Finanzia i afrohej gomones shqiptare dhe ishte shumë e tmerrshme sepse ti arrije të dëgjoje në gomone ulërimat e pasagjerëve, shqiptarëve që po kërkonin të iknin nga Shqipëria. Mbaj mend që i thashë drejtuesit të anijes, mos iu afro shumë se mund t’i përmbysësh, sepse krijohej një dallgë e madhe afër tyre. Ishte shumë e vëshirë për tu përjetuar. Një gjë tjetër që dua të kujtoj në fillimet e mia në gazetari, ishte intervista me një të droguar në një kohë që nuk flitej shumë për këtë temë. Ishte një djalë në fazë terminale. Kurrë nuk kisha parë dikë në atë gjendje. Ai kishte në çdo cep të trupit të vet shenjat e shiringave. Kjo ishte shumë tronditëse edhe për teleshikuesit, pasi ai nuk pranoi të tregojë fytyrën, por tregoi trupin e tij. Ishte një argument tabu në atë kohë, flitej shumë pak. Ai kishte besim që do të shërohej, por në fakt vdiq pas pak kohësh.
– Duke qëndruar në temën e problematikave të mëdha, ju në vitin 2016 sollët në treg librin “Unë kam vrarë” i cili mendoj se solli mjaft impakt në shoqëri. Në libër ju keni kërkuar për shkaqet që e çojnë një grua të bëjë vrasje, duke sjellë një spektër të problematikave të shoqërisë tonë. Çfarë ju nxiti ju për të bërë këtë libër dhe a keni në plan ta vijoni këtë projekt?
– Realisht ai ka qenë një proçes, jo një vendimarrje, pas iniciativës së Ismail Kadaresë dhe disa figurave të tjera të shquara për të falur Nazime Vishën. Ishte koha kur unë takoja Nazimen në burg, bëja intervista, që të plotësoja dosjen e saj të faljes që do ta dorëzoja në Presidencë. Ky kalvar zgjati rreth dy vjet, unë shkoja shpesh në burg dhe aty takoja shumë gra si Nazimja apo edhe profile të tjera me të cilat fillova të flas. Në fillim e kishin të vështirë, pastaj flisnin. Tregonin historitë e tyre, kërkonin ndihmë. Zakonisht këto gra braktisen edhe nga familja, dhe ishte e pamundur t’i ndihmoje. Kishte raste që vetëm për një çertifikatë që se merrte dot në fshatin e saj se s’kishte kush t’ia merrte, ajo qëndronte akoma në burg. Duke parë këtë realitet, ndihma e vetme që mund t’ju jepja, ishte të rrëfeja historitë e tyre, për të sensibilizuar shoqërinë, institucionet. Dhe mendoj se libri ia arriti qëllimit.
– A është më e vështirë sot të jesh një gazetar i lirë se sa në fillimet e demokracisë meqë sot media është kryesisht në duart e të pasurve? A ndikon biznesi dhe pushteti në blerjen e emisoneve?
– Unë nuk jam nga ato që them që ishim më mirë kur ishim më keq. Ishim më idealistë në atë kohë, konkurrencë nuk kishte gjithashtu në ato fillime. Do ishim të verbër të thoshim që nuk ndikon biznesi. Por ajo që dua të nënvizoj është se “Studio e Hapur”, është një program i publikut, i pa blerë nga asnjë palë politike dhe nga asnjë biznes.
– Ka patur oferta?
– Ka patur…
– Ju keni dhënë një intervistë pak kohë më parë ku hodhët disa ide si Veting në gazetari, rrëfyet që ka gazetar gjobvënës etj. Pse vendosët të flisnit kaq hapur për gjëra që mbase më përpara qarkullonin vetëm në ambientin tuaj?
– Unë mendoj se këto janë probleme që publiku i kupton edhe nëse nuk i themi ne, publiku është shumë i mençur. Filtri që ka publiku është një gjë shumë e çuditshme. Përpara kameras ti nuk ke filtra, sidomos të bësh këtë gjë që bëj unë, bisedën politike. Aty nuk mund të aktrosh, je vetvetja.
– Si ka mundësi që nuk votoni?
– Është një lloj revolte për klasën politike që kemi, edhe pse gjej justifikime për faktin se gjatë zgjedhjeve jam në transmetim me orë të gjata. Prandaj them, nuk kam kohë të votoj!
– Si e dallon që politikani po të mashtron dhe a të ka ardhur ndonjëherë dëshira për të përzënë dikë nga studio?
– Po më ka ardhur (qesh), por nuk është ky qëllimi absolutisht. Unë jam aty që një politikani të përgjigjet, jo ta përzë. Në rrjete sociale ka raste që më bëjnë edhe sugjerime të tilla kur bëj intervista të ndrysme; pse nuk e nxorre nga studio, pse e le të sillet ashtu etj. Po nuk është ky qëllimi im. Qëllimi im është të marr përgjgje, unë bëj pyetjet e mia, nëse ai zgjedh të mos përgjigjet, ai nuk është problemi im.
– Nga 1 në 10 sa të vërtetë janë politikanët në studion tënde?
– Mendoj që ata të janë të vërtetë me idetë e tyre, me të vërtetat e tyre. Por e qërteta është relative.
– Ju jeni një gazetare që keni vendosur shumë autoritet në punën tuaj. A keni patur dikë që ju ka qëndruar pranë dhe ju ka ndihmuar?
– Prindërit e mi, por padyshim unë kam shumë njerëz për të falenderuar gjatë karrierës time. Njerëz që kanë besuar tek unë. Sepse nuk mjafton të jesh e aftë dhe këmbëngulëse, por duhet që dikush të të japë një mundësi.
– Shpesh herë “Studio e Hapur” është bërë arenë e debatit të nxehtë si psh Berisha-Hoxha, Dako-Duka etj. Shpesh mendohet se debatet janë të stisura, si qëndron e vërteta?
– Po si mund të stiset kjo gjë, pra unë ti them Berishës, rri në linjë ti, se unë do ftoj Artan Hoxhën dhe zihuni! Për çfarë po flasim? Sigurisht që nuk ekziston kjo gjë.
– A ka patur raste kur në “Studio e Hapur” ka ardhur dikush që nuk do të doje të ishte aty?
– Ka raste kur ne caktojmë një temë të debatit politik mes palëve dhe zyrat e shtypit të Partive vendosin se kë do të sjellin. Ka raste kur ti mendon se mund të të sillnin dikë që është më i përgatitur për atë temë por kaq, jo diçka më shumë.
– Unë mendoj që një gazetar i lirë siç ju jeni nuk bën kompromise me pyetjet, a keni bërë ju ndonjehrë kompromise me pyetjet e të ftuarve?
– Është shumë e vëshirë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, pasi ju thatë që një gazetar i mirë nuk bën kompromise me pyetjet. Në fakt nuk është kështu. Një gazetar bën edhe kompromise, për shkak të qëllimit final. Kam bërë kompromise me pyetjet, pra nëse një i ftuar më ka thënë të lutëm mos e prek këtë gjë, unë e kam respektuar. Por kjo nuk ka qenë qendra e intervistës, përshembull të thotë mos më pyet për jetën private, por gjithmonë kompromise të vogla që nuk e cënojnë thelbin, qëllimin e intervistës. Përndryshe do ishte shumë e vështirë që të ruaje një lloj balance që njerëzit të vijnë gjithmonë në programin tënd. Se është shumë e thjeshtë që t’i lëndosh, të jesh agresive, por nuk është ky qëllimi i emisionit.
– Ju kam dëgjuar që keni thënë se intervista më e vështirë ka qenë me Edi Ramën. Cila është pika e dobët e Edi Ramës në një debat kur e keni në studio, çfarë e mposht atë?
– Unë nuk jam aty për të mposhtur askënd, të krijohet ideja sikur intervista është një duel, por në fakt nuk është ashtu. Nuk kam qëllim të mposht askënd dhe duhet që as i intervistuari të mos e ketë atë qëllim. Unë thjesht bëj pyetje dhe duhet të marr disa përgjigje. Ka kolegë që përpiqen ta paraqesin kështu, por nuk është. Përsa i përket Ramës, ai nervozohet për pyetjet që nuk i pëlqejnë dhe pasi nervozohet, bëhet arrogant. Këtë pjesë ai nuk arrin ta menaxhojë.
– Ju keni pohuar se kurbat e audiencës janë të pabesueshme, dhe kjo deklaratë vjen pas vendosjes së emisionit tuaj të enjteve, ku në të njëtën orë kanë program edhe kolegët e tu. Mos vallë kjo ishte një kundër përgjigje pasi ata deklaruan se e vetmja konkurrencë është një telenovelë turke?
– Unë kam qenë gjithmonë në konkurrencë me ta, edhe ditë të tjera., Ajo që dua të them se ky ka qenë një sezon fantastik për nivelin e audidencës, faktorin e impaktit dhe gjithvcka tjetër. Jam jashtëzakonisht shumë e kënaqur Studion e Hapur.
– A ju disfavorizon fakti që jeni femër në këtë profesion?
– Mendoj që femrat lodhen më shumë, por jo që nuk ia dalin. Femrat janë natyrë tjetër, meshkujt për shembull ulen në disa tavolina dhe bëjnë ca pazare që një femër me shumë gjasa nuk do t’i bënte. Është një garë deri diku e padrejtë, por unë nuk dua ta bëj çështje gjinie, sepse kur je përballë publikut, aty vlen profesionalizmi dhe besueshmëria.
– A ke ndonjë peng nga “Studio e Hapur”?
– Realisht jo, nuk kam ndonjë peng, në “Studio e Hapur” ka ndodhur gjithçka.
– A ka patur ndonjë personazh që ka refuzuar për të ardhur tek ju?
– Jo nuk ka patur, ka patur raste kur kanë munguar apo dikush është tërhequr pak para emisionit për arsye të ndryshme, por këto janë pjesë e punës.
– Pasi fiken kamerat ju keni jetën tuaj private, si është ajo?
– Të jesh gazteare që bën debatin politik trë herë në javë, nuk është kaq e thjeshtë dhe kur shkon në shtëpi vazhdon flet për politikën. Me babain flasim prapë për politikë dhe harrojmë të pyesim njëri tjerin se si kemi qenë.
– Si ndjeheni kur flitet për shifra astronomike të pagesës së gazetarëve. A ndjeheni e nënvlerësuar?
– Unë mendoj se shumica prej tyre janë legjenda, po nuk ka rëndësi, sot për një klikim më shumë çfarë nuk bëhet. Sigurisht ka gazetarë që paguhen mire, sepse e meritojnë.
– Futeni edhe ju aty?
– Po, mendoj që po. Kur ti punon mirë dhe ke experience, është normale të shpërblehesh mirë.
– Po ju nuk ju janë bërë oferta me shumë zero?
– Është një moment ofertash tani në fakt.
– Nëse do të jepej mundësi të lëvijze nga Newsi, do të ikje?
– Ti mendon se nuk ekziston mundësia?
Diskutime rreth kësaj post