Ndalimi nga policia i kryetarit të Partisë Demokratike në degën e Gramshit, Elmaz Haruni, më shumë sesa vepra penale që rëndon ndaj tij, u bë mjaft mediatike për gjuhën që zyrtari përdori ndaj efektivëve.
Kërcënime, sharje dhe një fjalor banal, vështirë i tranmsetueshëm edhe në rrjetet sociale. Kaq mjaftoi që e gjitha të kthehej në politikë. Të parët ishin demokratët që në njoftim zyrtar mbrëmë vonë, thanë se ndalimi i Harunit ishte politikë dhe se e gjitha ndodhi vetëm se ai udhëtonte pa rrip sigurimi.
Por gjatë ditës së sotme, Policia sqaroi gjithçka. Sipas policisë, automjeti ku udhëtonte Haruni është ndaluar për një kontroll në hyrje të Gramshit, por gjatë kontrollit të dokumentacionit, ai ka kundërshtuar dhe ofenduar punonjësit e policisë. Më pas policia ka shoqëruar makinën me gjithë personat që ndodheshin brenda në Komisariatin e Policisë Elbasan, nga ku ka rezultuar se shoferi ishte i dehur. Ndaj kreut të PD Gramsh ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Më tej, video e publikuar në media ku shfaqej gjithë irritimi i kryedemokratit të Gramshit filmuar nga kamera e policit, u komentua edhe nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
“Shikoni dhe dëgjoni Lulzim Bashën e Gramshit…. Dje Partia Demokratike reagoi shumë ashpër kundër Policisë së Shtetit për një arrestim “politik” të Kryetarit të kësaj partie në Gramsh me emrin Elmas Haruni. Por sot Policia e Shtetit ka sqaruar edhe me pamje incidentin që e bën tërësisht fajtor këtë person. Policia e shtetit ka sqaruar ngjarjen e ndodhur dje me kreun e Partisë Demokratike të Gramshit Elmas Haruni i cili nuk iu bind urdhrit të forcave blu madje dhe i ofendoi ata. Në një deklaratë për median policia bën me dije se mjeti ku udhëtonte Haruni është ndaluar për një kontroll në hyrje të Gramshit, por gjatë kontrollit të dokumentacionit kreu i PD-së ka kundërshtuar dhe ofenduar me një gjuhë rrugaçërore punonjësit e policisë. Më pas policia ka shoqëruar në Komisariatin e Policisë Elbasan makinën me gjithë personat që ndodheshin brenda. Pas këtyre pamjeve, pyetja është a do ta tërheqë PD baltën e mbrëmshme?
A duhet zyrtarisht PD të kërkojë ndjesë publike për Lulzim Bashën e Gramshit?”, shkruan Balla.
Përgjigjet ja dha deputeti demokrat Luçiano Boçi, i cili përmes një video të filmuarkëtë radhë nga një qytetar dhe jo nga kamera e policisë, tregon sesi makina ku udhëtonte harruni është rrethuar nga policë të shumtë. Boçi thotë se sjellja e kryedemokratit të Gramshti u provokua nga policia, pasi Haruni sipas tij u ndalua pa arsye dhe nuk u lejua të dilte nga makina. Duke u bllokuar nga efektivët.
Në video dëgjohet ajo që policia e ka censuruar, kur Kryetari i PD u kërkon në fillim pse e kanë ndaluar, a ka drogë me vete ai.
“Ajo që u fsheh e nuk u transmetua nga policia në ngjarjen e Gramshit është më e madhe se pjesa e propagandës së shpifur të demonstrimit të disa sharjeve. E vërteta është krejt ndryshe! Terror policor i hapur në mes të qytetit dhe lincim publik vetëm se është kryetari i PD dëshmojnë të kundërtën e servirjes së sforcuar. Elmasi u provokua deri në kufijtë e së pamundurës, me forca e britma policore të shumta, kur ishte thjesht dhe vetëm një pasagjer. Kushdo do kishte kundërshtuar këtë maskaradë politiko-policore. Ishte në rrugën e tij dhe në jetën e tij. U rrethua, u dhunua, u bllokua në makinën e tij e më pas e morën zvarrë, (sic e dëshmon video) pa asnjë shkak nga policia politike dhe reagoi.
Manipulimet që serviren me fragmente që i interesojnë policisë, nuk e mbulojnë faktin e përdorimit të saj politik si mashë për të luftuar kundërshtarët politikë me çdo mjet e për të favorizuar Yaristët, kanabistët, trafikantët e kriminelët me e pa kostume rrezëllitse.
Shihni pamjet me vëmendje e gjykoni”, shkruan Boçi.
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/pd-ps-lufte-videosh-pas-banalitetit-qe-shpertheu-mes-zyrtarit-dhe-policise-560469/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright
Diskutime rreth kësaj post