Një ditë më parë, u raportua se kreu i PD-së në Gramsh, Elmas Haruni ishte shoqëruar në Polici, pasi ka kundërshtuar policinë.
Sot, Report tv ka publikuar videon e përplasjes së Harunit me efektivët e policisë.
Në pamjet më poshtë shihet irritimi i Elmas Harunit dhe fjalët banale që ai përdor.
Lajmi:
Kryetari i PD në Gramsh Elmaz Haruni ka pasur një incident me policinë mbrëmjen e së premtes (20 korrik) Burime nga policia e Elbasanit, thanë se zyrtari politik lokal është shoqëruar pasi kundërshtoi forcat e rendit gjatë arrestimit të shtetasit Artur Rodhe i cili u kap në gjendje të dehur duke drejtuar makinën.
Pasagjer në automjet sipas policisë, ka qenë edhe kryedemokrati i Gramshit Elmaz Haruni i cili pretendohet se ka kundërshtuar forcat e rendit. Për këtë arsye ai është shoqëruar në polici ndërsa drejtuesi i mjetit është arrestuar pasi nga testi i alkoolit ka rezultuar me 0.88 miligramë në gjak.
Partia Demokratike reagoi për ngjarjen duke thënë se ajo ka ndodhur ditën e zhvillimit të aktivitetit të degës lokale të kësaj force politike.
Sipas PD, “me pretekstin e mosvënies së rripit të sigurimit, policia private e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt arreston Kryetarin e PD Gramsh Elmas Harunin dhe sekretarin organizativ të kësaj dege.”
Selia blu thekson se ky është një arrestim i pastër politik dhe dëshmi e dorëzimit të policisë para krimit dhe trimërimit të saj pa arsye para qytetarit. /albeu.com/
Diskutime rreth kësaj post