Gazetarët Muhamed Veliu dhe Elton Qyno të Shqiptarja.com, i kanë marrë një intervistë ekskluzive Zylfije Haklajt, motrës së Shkëlqim, Halil, Ylli dhe Fatmir Haklajt.
Prej vitit 2000 ajo ndodhet në Suedi, ku ka përfituar azil, dhe nuk ka folur asnjëherë për vrasjet që tronditën Tropojën.
Në këtë intervistë, ajo tregon se si shkaktoi zinxhirin e vrasjeve në Tropojë Sali Berisha dhe arsyet që sollën në përplasjet e tij me fisin Haklaj.
“Saliu është njeri që na shau, na vrau dhe na nxorri edhe nga varret.
Ai njeri na përzuri nga trojet tona shekullore dhe vazhdon të lakojë emrin e familjes sonë, në një kohë kur pas vrasjes së Azemit ai nuk na lakonte emrin, pavarësisht se dihej që Fatmiri e kishte kryer aktin.
Kurse tani ai na akuzon publikisht pa pasur asnjë bazë apo dëshmi për një gjë të tillë se shpërblejmë njerëzit për t’ju kundërvënë Saliut, siç tha në një emision.
Në vitin 1997, kur Kosova martire po përgatitej për t’ju kundërvënë makinerisë serbe, në tokën mëmë organizohen firmat piramidale dhe hapen depot e armëve.
Në këto rrethana, Saliu duke parë se po i rrezikohej pushteti, kërkon mbështetjen njerëzore nga veriu i Shqipërisë dhe pikërisht nga Tropoja.
Qëllimi i Saliut ishte të përdorte veriun kundër jugut për të realizuar qëllimet e tij të mbrapshta.
Në këtë kohë kryetar i Komitetit të Shpëtimit ka qenë vëllai ynë Fatmiri, i cili nuk ju përgjigj thirrjes së Saliut, që ka qenë president vendi.
Fatmiri shprehej se “… nëse kanoset siguria kombëtare nga pushtuesit e huaj, ne jemi të gatshëm në çdo kohë…”
Këtu është edhe momenti kur Saliu arriti në përfundimin se ne duhet të zhdukemi nga faqja e dheut.
Lufta e tij vazhdon ndaj familjes sonë edhe në ditën e sotme”, shprehet ajo për dy gazetarët e Shqiptërja.com.
“Saliu e ka vrarë Tropojën dhe i ka përdorur vrasjet për pushtetin dhe interesat e tij karrieriste dhe private”, vijon motra e Haklajve.
Ajo ka shpjeguar edhe rolin e Berishës në vrasjet e Tropojës, numri i të cilëve shkon deri në 200.
Sipas saj, vrasjet janë bërë për përfitim politik të Berishës.
“Kjo që ka ndodhur në Tropojë është sa tragjike po aq edhe e dhimbshme.
Është e vërtetë që shumë tropojanë janë vrarë, ku thuhet se numri i tyre arrin deri në 200.
Por vallë pse kaq shumë tropojanë, ku numri i banorëve aty është i vogël?
Kush është shkaku i vrasjeve në një qytet kaq të vogël? Kush përfitoi nga këto vrasje? Kush përçau dhe sundoi?
Të zbardhen të gjitha vrasjet në Tropojë dhe të gjendet arsyeja e vrasjes së bijve tanë.
Saliu e ka vrarë Tropojën dhe i ka përdorur vrasjet për pushtetin dhe interesat e tij karrieriste dhe private.
Por edhe drejtësia shqiptare nuk duhet të drejtohet nga politika por të zbatojë ligjin dhe njerëzit të jenë të barabartë para ligjit.
Për të dashurit tanë të vrarë nuk ka asnjë të akuzuar dhe asnjë të dyshuar apo të dënuar.
Kurse ne të mbijetuarit e familjes sonë jemi të akuzuar dhe të dënuar në mungesë dhe të kërkuar edhe nga Interpol”, shprehet ajo.
“Pas vrasjes së vëllezërve tanë, ne kemi bërë denoncime në Prokurorinë e Tropojës, por çështjet tona janë mbyllur pa u hapur fare, sepse prokurorët e autorizuar të Saliut nuk ishin të interesuar dhe nuk mund të zbardhnin vrasjet tona.
Sepse shteti i Saliut ishte i implikuar vetë në këto vrasje, ndaj shteti nuk mund të hetonte krimet e veta.
Saliu organizonte vrasjet tona duke bërë një kombinim të mirë shtetëror, prokurori, polici dhe vrasës, ku të gjithë shpërbleheshin me poste të larta dhe shuma të majme parash.
Kriminelët ndjeheshin shumë të sigurt për veprimet e tyre kriminale me të cilat realizonin edhe dëshirat e tyre private.
Kjo do të thotë se ai vuri në dispozicionin e tij privat të gjithë makinerinë shtetërore për të shfarosur gjithçka që kishte të bënte me ne”, shprehet Zylfije Haklaj.
Diskutime rreth kësaj post