Mangësitë që ndërtuesit e pallateve u lënë klientëve të tyre që blejnë apartamente është bërë si rrallë herë objekt i hetimit të Prokurorisë së Tiranës.
Ka mjaftuar një hetim sipërfaqësor që të dalin në pah edhe abuzimet e zyrtarëve të komunave që kanë për të detyrë të verifikojnë dhe të japin lejet e përdorimit.
I tille është rasti i kallëzimit që bënë disa banore të pallatit Nr.8 të firmës “Derveni” në zonën e Kasharit, të cilët prej më shumë se 5 vitesh nuk kishin ashensor në asnjë prej katër hyrjeve të këtij pallati.
Por hetimi i Prokurorisë zbuloi fakte shumë herë më të rënda se sa thjesht mosvendosja e ashensorëve. Hetimi zbuloi se komuna e Kasharit kishte pajisur me leje përdorimi pallatin në vitin 2012 dhe në dokumente ishte shënuar sikur ashensorët ishin vënë, në një kohë kur realisht ato mungonin fizikisht.
Deri në fund të vitit 2017 në pallat mungonin ashensorët dhe vetëm pas kallëzimit në prokurori, firma Derveni i vendosi. Por pavarësisht kësaj prokuroria zbuloi se kolaudatorja Arta Tani dhe specialisti i komunës së Kasharit Ermir Cina, që kishte përgatitur lejen e përdorimit kanë shënuar në dokumentacion të dhëna të rreme.
Për këtë arsye, Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzat e falsifikimit të dokumenteve ndaj Ermir Cinës dhe Arta Tanit dhe i ka dërguar për gjykim.
Referuar nenin 186 të Kodit Penal ata rrezikojnë një dënim që varion nga gjobë deri në 7 vite burgim.
Diskutime rreth kësaj post