Një nënë e tre fëmijëve, deportuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës para dy muajsh, u ribashkua me fëmijët e saj në Shqipëri për të nisur një jetë të re bashkë.
Cile Precataj shpërtheu në lot kur pa se tre fëmijët e saj mbërritën shëndoshë e mirë nga Detroit.
Cile u nda përdhuni nga fëmijët e saj prej autoriteteve të imigracionit në Sh.B.A. dhe kur pa Marashin, 16 vjeç, Megan, 10 vjeçe dhe Martinën tetë vjeçare për herë të parë në dy muaj, ajo u prek shkruan Daily Mail.
“Po dridhesha dhe po qaja. Thjesht doja t’i përqafoja,” tha Cilja. “Kisha kaq shumë kohë që i prisja dhe ishte një ndjenjë e papërshkrueshme t’i përqafoja dhe t’i kisha pranë. Qamë shumë, por ishim të lumtur që ishim me njëri-tjetrin sërish.”
“E di që u gëzuan kur më panë, por kjo është pak e çuditshme për ata dhe do t’u duhet pak kohë sa të mësohen. Janë në një vend të panjohur, nuk njohin gjuhën dhe janë larg babait, familjes dhe miqve. Nuk do ta kenë të thjeshtë,” tregon më tej Cilja.
46-vjeçarja u deportua nga Detroiti pas një beteje ligjore dy vjeçare për të drejtën e saj të qëndrimit në Sh.B.A. Edhe pse menaxhonte një restorant të suksesshëm me të shoqin, edhe pse paguante taksat dhe kishte tre fëmijë të lindur në Sh.B.A., ajo u deportua kur humbi të drejtën e qëndrimit në një vend që e quante shtëpi.
Cilja hyri në Sh.B.A. me një pasaportë të falsifikuar italiane pasi u detyrua të largohej nga Shqipëria në vitin 2000, e kërcënuar nga banditët që donin ta prostituonin.
Kërkesa e saj për azil u mohua dhe u detyrua të shpenzonte mbi $50,000 në betejën ligjore për të qëndruar në Detroit ku jetonte si një “nënë e zakonshme amerikane”.
Autoritetet e emigracionit nuk e lejuan t’i thoshte mirupafshim fëmijëve dhe e izoluan menjëherë në një qendër dënimi kur u paraqit për një nga kontrollet rutinë.
Familja e Ciles e mori vesh për deportimin e saj kur ajo i telefonoi e përlotur nga Gjermania, para se të dërgohej në Shqipëri, një vend që e la 18 vite më parë.
Që prej kthimit në Atdhe, Cilja tregon se vuan nga depresioni, pasi e ka të vështirë të pranojë që është ndarë nga familja dhe s’e di ç’e pret në të ardhmen.
Një muaj më parë, ajo dhe bashkëshorti i saj vendosën të shpërngulen në Shqipëri. Për t’i bërë gjërat më keq, bashkëshorti i Ciles nuk largohet dot nga Sh.B.A. pasi ka vetë probleme me autoritetet e emigracionit. Cilja s’e dinte nëse fëmijët e saj do të ishin të gatshëm të linin rehatinë e shtëpisë së tyre në Detroit për një vend që nuk e njohin.
Sidoqoftë, ideja që mund të mos i shihte më kurrë fëmijët ishte tmerruese dhe kështu çifti vendosi që për të mirën e të gjithëve, fëmijët të vijnë në Shqipëri e të jetojnë me nënën.
Gjithë sendet e tyre u paketuan në tetë valixhe dhe udhëtuan përmes Atlantikut nën mbikqyrjen e një kushëriri. Marashi u tha mirupafshim shokëve të shkollës dhe klubit të karatesë, ku edhe fitoi rripin e zi. Martina, më e reja, la pas katër zogjtë e saj. Megan hoqi dorë nga posti i studentes më të mirë në shkollë. Të tre thanë se do t’i merrte malli shumë për shokët dhe për babain, por pavarësisht gjithçkaje, duan të rrinë me nënën e tyre.
Cilja thotë se: “E di që kanë hequr dorë nga gjithçka që njohin, por e di që i ka marrë malli dhe duan të jenë pranë meje. Pasi më deportuan, im shoq shiti restorantin që të kujdesej për fëmijët. Ata kanë nevojë për nënën.
Akoma s’e kuptoj si Presidenti Trump do të lejonte ndarjen e nënave nga fëmijët. E di ç’po ndodh në kufi, por ai më ka bërë të njëjtën gjë mua.
E konsideroj veten amerikane dhe Amerika është shtëpia ime. Aty dua të jem dhe aty duan të jenë fëmijët e mi. Është kaq e padrejtë, por s’kamç’bëj tani. Duhet të bëjmë ç’është më e mira për fëmijët.
Jam e vetëdijshme për shokun kulturor që do të pësojnë. Do të bëj më të mirën.”
Cilja shpjegon se zgjodhi të tregohej e ndershme me autoritetet, por nëse do të kishte bërë të kundërtën, ndoshta do të ishte ende atje.
“Zgjodha të tregohem e sinqertë dhe u thashë autoriteteve se kisha hyrë ilegalisht në vend. Nëse s’do të kisha thënë asgjë, me siguri do të isha ende atje, si shumë emigrantë të tjerë.
Mendoj se kjo është shumë e padrejtë, pasi doja të punoja me autoritetet e emigracionit për të rregulluar ç’ishte gabim.”
Cilja i kontaktoi autoritetet e emigracionit fill pasi mbërriti dhe kërkoi menjëherë azil. Teksa çështja e saj shqyrtohej, ajo u njoh me tanimë bashkëshortin e saj, Pete Gojcaj. Ata u bënë prindër për herë të parë më në 2002.
Tre vite më vonë, gjykata i tha Ciles se duhej të largohej nga vendi pasi kërkesa e saj për azil ishte mohuar, pasi s’ishin të bindur se në Shqipëri ajo jetonte e kërcënuar.
Cilja apeloi kundër deportimit dhe shfrytëzoi gjithë mundësitë e mundshme për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara.
Teksa ishte shtatzënë me vajzën, Megan, autoritetet i thanë se ishte nën mbikqyrje dhe duhet të raportonte në një zyrë emigracioni çdo muaj.
Gjatë kësaj kohe, Cilja ndihmoi bashkëshortin e saj, një emigrant jugosllav që jetonte në Sh.B.A. që prej moshës 5-vjeçare, të hapte restorantin e tij.
Në fund të majit mbërriti lajmi i deportimit të saj.
Ajo hoqi dorë nga shtëpia e saj në Sterling Heights në Detroit për shtëpinë e thjeshtë në rrethinat e Shqipërisë, jo larg Malit të ZI.
Takimi me prindërit e saj, Pashku dhe Pashka, e ndihmoi të përballonte ndarjen nga bashkëshorti dhe fëmijët. Në vend që të shpërngulej në shtëpinë bosh ngjitur prindërve, Cilja vendosi të qëndrojë në një motel në qytetin më të afërt për të ndihmuar fëmijët të përshtaten me jetën e re.
Shtëpia e prindërve nuk ka ujë të rrjedhshëm, tualeti është një vrimë në tokë larg banesës dhe energjia elektrike mungon ngaherazi.
Fshati i Gradecit është aq i izoluar, sa s’ka asnjë dyqan të vetëm dhe rrugët s’kanë emra. Është gjëja më e largët në krahasim me atë që janë mësuar ajo dhe fëmijët e saj.
Pasi u kontaktua nga Abi Bank, Cilja mendon të shpërngulet në Tiranë. Ekzekutivët e bankës lexuan historinë e saj dhe duan të ndihmojnë me një punë dhe një apartament. “Do të flas me ta së shpejti. Shpresoj të më ndihmojnë,” thotë Cilja.
“Të ndodhë ç’të ndodhë, do të këmbëngul që ky vend të kthehet në një shtëpi për fëmijët e mi. s’kam hequr dorë nga ideja se mund të kthehemi një ditë.”
Deri kur të vijë ajo ditë, Marash tha se ndihet “i emocionuar dhe nervoz” për jetën e tij të re në Shqipëri. “Kam lexuar që është një vend shumë i varfër, por në fakt është shumë herë më mirë nga ç’mendoja,” tha ai. “Do të më marrë malli për babain, familjen dhe miqtë. Disa më kanë thënë që do të vijnë të më vizitojnë. Ka qenë shumë e vështirë pa mamin. Kur e deportuan, isha kaq me nerva. S’më besohej që vendi im ia bëri këtë. Qava shumë, dhe më pas isha thjesht me me nerva. Pasi iku mami, ishte shumë e vështirë. Më mungonin gatimet e saj. Babi ia doli shumë mirë, por mami është ndryshe.”
Për ta bërë më të lehtë tranzicionin, Marashi mori me vete Xbox-in që të vazhdojë të luajë si më parë.
Për Meganin, gjëja më e vështirë është mungesa e një shkolle për studentë të ekselencës. Gjithashtu do t’i mungojnë picat e preferuara.
Ndërsa për tetë vjeçaren Martina, mungesa e McDonalds është shqetësimi më i madh. “Do të më mungojnë hamburgerët dhe patatet,” tha ajo.
Ngaqë mbajnë pasaporta amerikane, të tre fëmijët mund të kthehen kur të duan në Amerikë për të takuar babain ose miqtë. Ndërsa për Cilen, kjo ka shumë pak mundësi të ndodhë.
“Jam shumë e lumtur që jam me fëmijët, por dua dhe bashkëshortin pranë. E dua shumë dhe mezi pres ditën që të jemi një familje sërish.”
Diskutime rreth kësaj post