Zgjedhjet vendore po afrojnë dhe shumë kryetarë bashkish nuk e kanë të sigurt rikandimin. Kryeministri pak ditë i paralajmëroi hapur dhe mes tyre është edhe Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës. Rama i pyetur disa herë në studio televizive e ka thënë hapur se do vendosë baza për kandidatin e zgjedhjeve të 2019, duke dhënë sinjale se Veliaj ende nuk është i sigurt. Por kjo gjë ka bërë që marrëdhëniet mes tij dhe Veliajt të përkeqësohen.
Kryebashkiaku nuk e ka fshehur ambicien e tij për t’u bërë kryeministër apo për të marrë drejtimin e partisë. Përmes shkrimeve të sponsorizuar në mediat ndërkombëtare ai e ka thënë hapur dhe kjo ka tensionuar situatën. Por ditët e fundit po jepen sinjale se përplasjet mes tij dhe kryeministrit Edi Rama janë rikthyer. Kur u inaugurua Amfiteatri te Liqeni Artificial, kryeministri nuk kurseu ironitë ndaj Veliajt, por më pas u pa një qetësi mes tyre. Mirëpo ditët e fundit situata ka ndryshuar. Media dhe njerëz pranë kryebashkiakut prej ditësh po sulmojnë shefin e qeverisë, duke dhënë sinjale se përplasjet Veliaj-Rama janë rikthyer.
Burime të sigurta të gazetës kanë bërë me dije se Veliaj në arenën ndërkombëtare ka filluar të sulmojë kryeministrin Edi Rama. Madje në një takim me personalitete të njohura, mbajtur disa javë më parë, ai ka thënë se Rama gjatë mandatit të dytë është kthyer në një “Sali të vogël”. Po ashtu Veliaj ka thënë se ai mandatin e parë punoi mirë, por në të dytin është kthyer në diktator dhe nuk pyet as deputetë e as ministrat. Por si për çudi në sulmet që mediat dhe benjaminët e Veliajt kanë bërë ditë e fundit ndaj qeverisë, japin të njëjtat argumente. Edhe aty thuhet se Rama është bërë arrogant dhe nuk pranon kritika nga deputet e ministrat. Pra sinjalet janë se përplasjet Veliaj-Rama janë rikthyer dhe kjo dëshmonte dhe një herë se kryebashkiaku është akoma më i pasigurt për rikandidimin në zgjedhjet vendore.
Në korridoret e Kuvendit po qarkullojnë shumë emra që mund të kandidojnë në zgjedhjet vendore dhe kjo ka shqetësuar si duket kryebashkiakun.
Klanet e Veliajt
Gazeta “SOT” e deklaroi pak ditë më para se Veliaj është duke marrë masa për çdo të papritur në zgjedhjet vendore. Ndonëse Rama ka nisur një betejë të fortë me LSI, Veliaj flirton me partinë e Ilir Metës. Asnjë prej militantëve të saj në Bashkinë qendrore dhe në njësitë administrative nuk ka shkarkuar nga detyra. Po ashtu Monika Kryemadhi ka qenë shumë e përmbajtur në deklaratat publike përballë Veliajt dhe nuk e ka mohuar që mund ta mbështesë në zgjedhjet vendore. Po ashtu, një rival tjetër i qeverisë kohët e fundit është bërë Shpëtim Idrizi. Ky i fundit i kërkoi Veliajt të largonte Abaz Hadon nga posti i nënkryetarit të bashkisë dhe Veliaj e pranoi, duke bërë për vete kreun e PDIU.
Të gjitha këto tregojnë se Veliaj e di se nuk e ka të sigurt rikandimin dhe është duke krijuar rrethin e tij të mbështetësve. Megjithatë, një gjë është e sigurt: Marrëdhëniet mes Veliajt dhe Ramës nuk janë aspak si dikur. Kohët e fundit shumë rrallë janë shfaqur bashkë, ndërsa Rama ka hezituar gjithmonë të thotë se ai do jetë kandidat në zgjedhjet e ardhshme. Veliaj nga ana tjetër në media nuk i ka kursyer elozhet për kryeministrin, por përmes benjaminëve të tij rrit presionet. Mbetet të shihet nëse shefi i qeverisë do i besojë dhe një tjetër mandat./Kliti TOPALLI
Diskutime rreth kësaj post