Megjithëse është nisur të godasë qeverinë dhe mbushjen e vendit me drogë dhe krim nga Edi Rama, Lulzim Basha është kapur ngushtë në një intervistë në Zëri i Amerikës kur ai nuk ka pasur përgjigje për paratë që pretendohet se i ka paguar kompanisë lobuese Muzin Capitol Partners.
Ashtu sikurse është thënë tashmë në Shqipëri dhe investiguar në mediat amerikane ka një mospërputhje qindramijra euroshe mes shifrave që ka deklaruar Partia Demokratike në KQZ dhe atyre që ka pranuar kompania amerikane pranë autoriteteve të vendit të saj. Nisur nga kjo kontradiktë gazetari Arben Xhixho është përpjekur të gjejë të vërtetën përmes pyetjeve këmbëngulëse: Kush thotë të vërtetën PD apo Muzin Capitol Partners?
Por në katër tentativa me radhë ai nuk ka mundur të marrë një përgjigje të saktë nga lideri demokrat. Në mënyrë rrëshqitëse dhe evazive ai ka dhënë përgjigje të paqarta duke përsëritur refrenin “Partia Demokratike ka bërë atë kontratë që ka bërë dhe ka bërë ato pagesa që ka bërë”.
Por kur gazetari Xhixho ka këmbëngulur në pyetjen se nëse Muzin Capitol Partners “iu ka prishur juve imazhin. Pse nuk e denonconi ju këtë firmë për të pastruar emrin tuaj”, përgjigjja e kreut demokrat ka qenë një sulm i paprinciptë kundër PS-së.
Në fakt socialistët e kanë përdorur gjatë në Shqipëri këtë histori duke aluduar për financime ruse të PD-së, por siç del edhe në tekstin e zbardhur nga intervista në VOA (lexo poshtë) ajo ka të ngjarë të jetë më shumë një pagese lobimi në të zezë. Prandaj shifrat e deklaruara në dy anët e Atlantikut nuk përputhen dhe prandaj Basha e kishte të vështirë të përgjigjej.
Zëri i Amerikës: Një kontratë e mëparshme lobimi e Partisë Demokratike me firmën Muzin Capitol Partners ka ngjallur mjaft debate. Madje në Shqipëri Partia Demokratike është në hetim lidhur me këtë kontratë. Bëhet për një pagesë prej mbi gjysmë milionë dollarësh. Firma Muzin vet ka deklaruar tre pagesa; një prej tyre ju e keni pranuar tashmë pra, 25 mijë dollarësh. Janë edhe dy të tjera, por dua të ndalem tek shuma më e madhe prej 500 mijë dollarësh, për të cilën ju jeni shprehur në Shqipëri fillimisht se është bërë nga një grup shqiptaro-amerikanësh. Më pas duket sikur ju jeni tërhequr nga kjo thënie. Cila është e vërteta e kësaj pagese prej 500 mijë dollarësh?
Lulzim Basha: E vërteta është se Partia Demokratike ka bërë atë kontratë që ka bërë dhe ka bërë ato pagesa që ka bërë. Ndryshe nga Partia Socialiste, e cila…
Zëri i Amerikës: Partia Demokratike ka bërë një pagesë, siç thotë firma Muzin në deklaratën e saj, prej 500 mijë dollarësh.
Lulzim Basha: Partia Demokratike ka bërë atë kontratë që ka bërë, që e ka publike, dhe ka bërë ato pagesa që ka bërë. Kjo është e vërteta…
Zëri i Amerikës: Pra, firma Muzin nuk tregon të vërtetën? …
Lulzim Basha: … E për çdo gjë tjetër ne i kemi kërkuar prokurorisë në Shqipëri dhe FBI-së në hetojnë. Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj, nuk ka asnjë para të pistë në këtë mes, ndryshe nga afera e famshme e thyerjes së ligjeve amerikane me foton me Obamën dhe me burimet e panjohura të parave, që paguan për këtë të tjerët. Partia Demokratike është tërësisht transparente, krejtësisht e hapur, kështu që kjo nuk është çështje.
Zëri i Amerikës: Firma Muzin, sipas kësaj që po thoni ju, duket se ka përdorur emrin e partisë tuaj për çfarëdo problemi që ka patur vetë. Pra, iu ka prishur juve imazhin. Pse nuk e denonconi ju këtë firmë për të pastruar emrin tuaj, sepse del emri i partisë tuaj gjithmonë?
Lulzim Basha: Aspak. Partia Demokratike i ka deklaruar gjithmonë në mënyrë transparente marrëdhëniet e saj dhe financat e saj, ndryshe nga Partia Socialiste në të kaluarën dhe në të sotmen. Por kjo është një çështje, e cila besoj se do të diskutohet dhe do të bëhet transparente më vonë. Këtu nuk ka asnjë çështje. Është një non-issue, siç i thonë në Amerikë. Partia Demokratike është e angazhuar në denoncimin e lidhjeve të krimit të organizuar me partinë në pushtet, duke përfshirë edhe pastrimin e parave dhe gjithçka për të cilën Partia Demokratike akuzohet është një manovër e dobët diversioni për të tërhequr vëmendjen dhe për të kaluar Partinë Demokratike në pozita mbrojtëse, çka nuk ka për të ndodhur.
Diskutime rreth kësaj post