Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn tha të premten se asnjë shtet tjetër nuk do të pranohet në BE pa zgjidhur më parë çdo konflikt që ka me fqinjët.
“Siç e kemi thënë qartë në strategjinë e përbashkët, BE nuk do të pranojë asnjë shtet tjetër anëtar që ka ende konflikte të pazgjidhura me një vend fqinj. Zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë me Greqinë është një shembull që kjo ndihmon në përshpejtimin e hapave të integrimit. Në të njëjtën frymë Shqipëria është në negociata me Greqinë, kjo është diçka që duhet bërë në nivel bilateral dhe pa pasur nevojë për lehtësim apo ndërhyrje nga ana jonë”, tha Hahn në përgjigje të pyetjes së gazetarëve nëse një marrëveshje mes Greqisë dhe Shqipërisë do të përshpejtonte perspektivën evropiane të Tiranës.
Ndërsa lidhur me spekulimet e politikanëve grekë se Hahn ka përmendur një ndryshim kufijsh mes dy vendeve, komisionari sqaroi çfarë kishte pasur parasysh. “Preferoj të mos bëj ndonjë koment tjetër, më vjen keq që ka pasur keqkuptime, sepse kjo ka pasur të bëjë me një sqarim për vijën kufitare, asgjë më shumë dhe asgjë më pak dhe nuk është çështje e madhe. Jam i bindur se pas rreth dy javësh gjithçka mund të bëhet.”
Kryeministri Rama në anën tjetër tha se “jam 100 përqind i sigurt se kur rezultatet të finalizohen dhe të bëhen të qarta për të gjithë, kushdo që akuzon për tradhti në të dy palët, do të turpërohet nga opinioni publik.”
Komisioneri Hahn tha se të martën e javës që vjen do të vizitojë Tiranën për të nisur procesin e skanimit që i paraprin hapjes së negociatave vitin që vjen. Ndërsa Kryeministri Rama tha se qeveria e tij është gati për këtë proces.
Hahn dhe Rama folën në një konferencë të përbashkët për shtyp në Bruksel këtë të premte. Komisioneri Hahn kërkoi angazhim të qeverisë, si dhe të opozitës për integrimin në BE, që është një qëllim kombëtar.
Diskutime rreth kësaj post