Partia Demokratike hodhi sot sërish akuza ndaj qeverisë lidhur me projektin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Deputetja Albana Vokshi në një konferencë për shtyp renditi lidhjet e qeverisë në aferën korruptive me kompaninë ‘Fusha Sh.p.k’. Sipas saj, kjo kompani ka marrë pa garë 127 tendera publikë, me vlerën e 80 milionë eurove, ndërsa së fundi, qeveria dëshiron t’i japë edhe rreth 8500 metra katrorë tokë, në zonën e Teatrit Kombëtar.
“Subjekti “Fusha” ka marrë pa garë ndërtimin e sheshit “Skënderbej”, që mbyti veten, bashkinë e Tiranës dhe Bibliotekën Kombëtare, si dhe parkingun e këtij sheshi. Kjo kompani ka marrë së fundi edhe hidrocentralin e Kalivaçit, nëpërmjet një skeme tërësisht korruptive, ndërsa tashëm Edi Rama dëshiron t’i japë edhe 8500 metra katrorë tokë, që i përkasin Teatrit Kombëtar”, deklaroi Vokshi.
Deputetja e Partisë Demokratike theksoi se ky subjekt politik do të vijojë të denoncojë aferat korruptive të qeverisë, bashkisë së Tiranës dhe kësaj kompanie, që sipas Vokshit, shërben për pastrimin e parave të drogës dhe krimit të organizuar.
Albana Vokshi theksoi se Rama po shfrytëzon mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tha se PD mbetet e angazhuar maksimalisht për të mbrojtur Teatrin Kombëtar nga shembja.
“Edi Rama ka nxjerrë jashtë loje Gjykatën Kushtetuese dhe po e shfrytëzon maksimalisht mungesën e funksionimit të saj. Por ai ka harruar t’i bëjë llogaritë me popullin dhe qëndresën e tij. Ne do të mbrojmë me çdo kusht Teatrin Kombëtar, nga zhvatja prej mafias në pushtet”, deklaroi deputetja e PD-së.
Diskutime rreth kësaj post