Nga Agron Gjekmarkaj
Tepër potere, zhurmë, fjalë, projekte, mbledhje e sqarime po harxhon pushteti i Rilindjes për të justifikuar një hajdutllëk të madh, por të thjeshtë, shembjen e Teatrit Kombëtar, dhënien e truallit të tij dhe tokës përreth në zemër të Tiranës për të ndërtuar kulla. Kjo histori po konsumohet në sy të të gjithëve si një përdhunim publik. Me trishtim duhet pohuar se nëse kjo qeveri ia del ta bëjë këtë, ky do të jetë një rezultat, të cilin ne e meritojmë si shoqëri.
At Zef Pllumi, të cilin për modë Kryeministri Rama pretendon se e kishte mik, përdorte një thënie, e cila me gjasë i plazmohej nga eksperienca dhe dija e tij e thellë, mbi historinë e vendit, “popullit tonë me ia shti opangën në gojë nuk bëzan e në kët pikë nuk jam dakord me popullin tem”.
Po kaq e duhur tingëllon tjetra sentencë e dalë po prej Fratit të kujtimeve se, “Asht i mjerë ai popull që nuk zotnon bijtë e tij të këqinj”. Shpeshherë, personalisht dua të besoj se ky është një mega truk për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik nga skandalet në administrimin e Ministrisë së Brendshme prej të ngratëve Tahiri dhe Xhafaj, siç janë ca të tjera me më pak dem si poturet, atletet, leksionet ndaj Europës, bisedat me Tërmetin, muhabeti dhe romuzet ndër livadhe, sepse më duket tepër e rëndë për ta pranuar si akt logjik!
Por i pazakontë mbetet edhe si provokim dhe merret me mend si do të duket nëse kjo ëndërr e keqe, në të cilën kemi rënë kaq keq, do të bëhet realitet! Edi Rama me këtë tendencë sillet si një bahçevan me domatet e veta, të cilat i regj, i bën salcë, sallatë, i shet apo i le të kalben në arë! Mbase pa të drejtë u biem në qafë dy qyqarëve Erjon Velisë dhe Mirela Kumbaros.
Ata nuk e dinë fiks çfarë ka në kokë shefi. Një gjë e dinë mirë, njëri për të marrë të drejtën e rikandidimit në Tiranë dhe tjetra, për të vazhduar që të duket ende si ministre, i duhet bërë hyzmet vullnetit të Ramës pa mëdyshje, pa ndoshta e pa sikur, me nxitim, me zell, me tamah, duke rendur, duke u çapitur, duke u kacavjerrë në çdo qosh, cep, degë, litar që shakaja e fatit u hedh nga lart! Herë mbledhin artiste e here arkitektë, të cilët i kanë nën hyqëm dhe ju kërkojnë të vikasin; poshtë Teatri, rrofshin kullat, poshtë Robert Ndrenika, rroftë Edi Rama, poshtë Mirush Kabashi, rroftë Erjon Veliaj, poshtë Roza Anagnosti, rroftë Mirela Kumbaro…dhe ata nuk zhgënjejnë…me zë të qëruar tundin… urraaa… urraaa… rroftë…rroftë…dhe me ashikllëk këndojnë “bleri kavallit ti, barku em si bilbili që këndon në gem!”
Kush nuk e di që arkitektët punojnë për ndërtuesit që në rresht trokasin në derën e Erion Veliajt për interesat e tyre?! Zjarrfikësit ku e marrin rrogën? Mbi kurrizin plot jel të Teatrit Kombëtar me banali i teatrove po luhet, tragjedia etike publike! Ngjashëm si fenomen kur dënohej elita e kombit në vitet ‘40… nëpër salla këndohej “hakmarrje rini dëshmori thërret”! Edi Rama sot është adhuruesi më i madh i vlerave minimale e po kaq ngutshëm përdoruesi më i suksesshëm i veseve të tranzicionit! Aferim i qoftë!
Burrë i Zoti! Gjynah që nuk e shemb edhe Kryeministrinë, ministritë si të vjetra, se e para është ndërtuar në vitet ’40, ndërsa këto në 1932, 10 vjet para Teatrit po më arkitekt italian dhe t’ia japë firmës “mali”, “deti”, “barku”, “llapa”, “lëbyrja”, “babëzia”, “kazani” e “sahani” për ta zbukuruar këtë vend e nxjerrë në selamet! Si askund tjetër në Shqipëri, prej varfërisë a prej shkaqeve të tjera historike e kulturore, njerëzit me pushtet, që kanë në dorë, kandidimet, karrierat, vendet e punës, tenderat, koncesionet, lejet, trojet etj., kanë vullnet si dreqi për të vjedhur, por e kanë bezdi t’u thuash hajdut, zymtohen po t’ua nënvizosh injorancën, hakmerren po t’ua luftosh arrogancën dhe sidomos kur ju cenon mundësitë për pasurim të mëtejshëm, të sulmojnë egërsisht me fjalët si zhalloga a lëvore lisi, po aq kur në territorin që kanë pushtuar iu vizaton gënjeshtrat, me të cilat na ushqejnë. Kjo është raca e edepsëzëve!
Teatri po bie pre e tyre! Kryeministri ka përgatitur projektligj me çirakët e tij! Nëse do ketë sukses që të na gëzojë tamam të përgatisë edhe një projektligj tjetër, ku në tekstet e shkollës të studiohet “jeta dhe vepra” e Erion Veliajt dhe Mirela Kumbaros, “orbita diellore pas pyllit orbital të Tiranës”, këngët që populli bën për to, të tipit “Moj Mirelë moj lanete, shembe teatrin, na bëre për vete” si dhe urdhër të posaçëm për Ditmir Bushatin, që t’iu shpjegojë europianëve krahas trashëgimisë kulturore si isopolifonia, qeleshet dhe furkat, mendimin bashkëkohor të vetë Ramës, Kumbaros dhe Veliajt si lokomotivë integruese!
Koha për të bërë një krahasim ka ardhur. Nëse kjo batërdi, ndërtimi i kullave dhe shembja e Teatrit do të ndodhte kur Kryeministër ishte Sali Berisha dhe kryetar bashkie Lulzim Basha, a ka ndokush fuqi ta mendojë së çfarë do të punonte propaganda e Ramës me të gjitha instrumentet mbështetëse! Do të akuzoheshin ata dhe familjarët e tyre për barbarë, malokë, dhunues, të lidhur me mafien e shumëçka tjetër. Pas banderolës “Fajin e Ka Saliu”, me mjekër më të gjatë se zakonisht, me zë të rëndë, Rama do të mbante fjalim kundër diktaturës plot me apele zulmëdha popullit për rebelim. Ai do të identifikohej me artin, Saliu me errësirën.
Do të dilnin veteranët në mes të vapës, si për reformën në drejtësi, meqenëse në gjirin e tyre si shtresë janë strehuar kriminelët dhe sadistët më të mëdhenj që ka nxjerrë ky komb e janë të ndjeshëm dhe të etur për amshim, siç dolën për të mbrojtur rrethrrotullimin te “Zogu i zi”, ku ndonjë ra edhe dëshmor me pankarta, ku do të shkruhej “Rroftë Cobo Rrapushi!” Do të vinin bujqit e Myzeqesë duke lotuar me ofshamë për këtë kob e tmerr që i kanosej vatanit, duke lënë bereqetin në arë t’u kalbej! Vete Erion Veliaj me biçikletë, bashke me cucat e ‘99-s, do shpërndante proklama derë më derë, në të cilat do të shkruajë: “Mbroni teatrin, mbroni demokracinëkushtrim”!
Disa deputete gra ato me patetiket, do visheshin me të zeza nëpër studio për zezonën ku përgatitej të binte arti. Një enciklike për teatrin do të shkruhej ato ditë nga kardinalet e rrugës se vetme. Heronjtë e heshtur të trashëgimisë e të monumenteve, siç deshën të prangosen në kangjella kur Bujar Nishani qethi gjethet, do të lidheshin mbi çati si Prometeu, duke pritur buldozerët e Saliut e të Lulit për t’u shndërruar në heronj. Tani ata hanë skropin dhe pilafin e hyqymetit dhe bulçinjtë i kanë të zënë e fjala s’u del dot. Gromësijnë qafirët nga yndyra e tasqebapit! Artikuj të shumtë do të digjnin gazetat me zjarrminë e tyre nga titujt e përflakur, me përkufizime si dhunë, barbari, korrupsion e shume gjetje të tjera befasuese.
Tani, falë indokrinimit ideologjik, edhe ata heshtin dhe as u bëhet vonë, “se partia dhe djali tënë” dinë se çfarë bëjnë! Idealistët zhgënjehen gjithmonë dhe batakçinjtë i citojnë gjithmonë në fjalime, siç bëjnë me Fishtën, Konicën, Gurakuqin etj. Kjo karakteristikë është në natyrën e fenomenit. Gjithsesi, ata shpresojnë që nja 10 burra e gra të rebelohen për të thyer rregullin. Do të zhgënjehen, por nuk do përtojnë së thirruri: “fryjeni barkun o edepsëzër, bëjeni lodër e kacek dhe bjerini për të gëzuar këtë milet, që ju meriton e me gazep ju ka!”.
Diskutime rreth kësaj post